Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 21:20

Tiranë – Tre oficerë të Policisë së Shtetit dhe një zyrtare e Drejtorisë së Arsimit në Tiranë u nderuan sot për kontributin e dhënë për ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike.

Gjatë një ceremonie të organizuar në Policinë e Shtetit, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u dha certifikatat e mirënjohjes Saimir Muçajt, Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, Kryekomisar Arben Nasufit, Shef Sektori, Asistent i Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë dhe Komisar Bedri Hasanaj, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, dhe drejtores së Drejtorisë Arsimore të Tiranës, Arjana Bekteshi.

Çertifikatat iu dhanë atyre për kontributin në implementimin me sukses të Programit të Përbashkët ndërmjet Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Drejtorisë Arsimore të Qytetit Tiranë për “Edukimin, ndërgjegjësimin dhe reduktimin e kërkesës për drogë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit Tiranë”.

Pasi ka përgëzuar punën e Policisë gjatë zjarrit që ra mbrëmë në Tiranë, ku nuk pati asnjë dëmtim fizik, përveç dëmeve materiale, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi se “në SHBA njerëzit prej vitesh janë përpjekur që t’u mësojnë të rinjve efektet dhe dëmet që sjell përdorimi i drogës”.

“Ka disa forma me të cilat mund të merresh, njëra është sulmi që i bëhet shpërndarjes së drogës, duke arrestuar ata persona që merren me këto aktivitete kriminale, ndërsa tjetra është edukimi i të rinjve për të qëndruar larg drogës. Ajo që kemi zbuluar është se ndonjëherë të rinjtë duhet t’i shokosh për efektet që sjell droga në jetën e tyre”, tha Arvizu.

Sipas ambasadorit amerikan, “një nga projektet më të suksesshme në SHBA ka qenë projekti DARE, që është Edukimi për Rezistencën ndaj Abuzimit me Substanca Narkotike”.

Arvizu kujtoi se gjatë panairit të hapur, që u zhvillua në tetor të këtij viti,  “ne patëm mundësi të kishim një stendë të caktuar ku paraqiteshin të gjitha pajisjet që përdoren nga Policia e Shtetit në luftën kundër drogës, si dhe u paraqitën dëmet që i sjell trupit të njeriut përdorimi i drogës, gjë që i ka prekur të gjithë, përfshi të rinjtë e shumtë që e vizituan panairin”.

Sot, tha ambasadori Arvizu, “jemi mbledhur që të bashkojmë forcat në mënyrë që të mund ta përhapim këtë program edhe në zona të tjera të vendit dhe mendoj se është mënyrë efikase se si policia të rrisë rolin e saj si model në mbarë vendin”.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i pranishëm në këtë ceremoni, tha se “përdorimi i drogave është një e keqe e madhe dhe e rrezikshme. Zakonisht të këqijat përballen kur je në aleancë dhe luftohen e fitohen kur vepron si koalicion. Ne jemi krenarë sepse përbëjmë një koalicion të madh në luftën kundër kësaj të keqe të madhe. Për Ministrinë e  Brendshme do të ishte e mirëpritur përfshirja në këtë aleancë e sa më shumë aktorëve, përfshi këtu organizatat jo qeveritare të fushës”.

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, shprehu mirënjohjen për ambasadën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e arsimit në Shqipëri.

“Lufta kundër përdorimit të drogës fillon me procesin e edukimit. Përmes politikave tona të edukimit  ne synojmë t’i edukojmë nxënësit dhe t’i informojmë për pasojat e përdorimit të drogës”, tha Tafaj.