Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 13:41

TIRANE – Bashkëshortja e Lirak Bejkos, ish-të përndjekurit politik që ndërroi jetë tre ditë më parë në Itali, bëri të ditur në një intervistë për ‘NEWS 24’ se trupi i të ndjerit pritet të vijë në Shqipëri të martën, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e mërkurë.

Ndërsa shprehu dhimbjen për humbjen tragjike të bashkëshortit të saj, Edlira Bejko deklaroi se homazhet për nder të tij do të zhvillohen në Institutin e Ish-të Përndjekurve Politik, vetëm nëse arrihet konsensusi me drejtuesit e Institutit.

Lirak Bejko kishte afro 20 ditë që luftonte me vdekjen në një nga spitalet e Barit në Itali, derisa mëngjesin e ditës së premte, rreth orës 11:30 minuta, trupi i tij nuk i ka përballuar më dhimbjet dhe zemra i ka ndaluar së rrahuri.

Lirak Bejko ishte babai i dy vajzave, emri i të cilit u bë i njohur vetëm pas vetëflijimit, duke i vënë flakën vetes, gjatë grevës së urisë së ish-të përndjekurve, për të kërkuar dëmshpërblimin e viteve të burgut.

Prej disa javësh, Lirak Bejko qëndronte në terapi intensive në spitalin e Barit në Itali, ku u ishte nënshtruar katër operacioneve. Madje, sipas familjarëve të tij, pas operacionit të fundit Liraku nuk fliste më dhe pjesa e poshtme e trupit nuk përgjigjej më, gjendje që sa vinte dhe përkeqësohej derisa i mori atij edhe jetën. Menjëherë pas vdekjes së tij, janë lajmëruar të afërmit e Lirakut, të cilët janë ende të tronditur nga dhimbja e thellë për humbjen e të dashurit të tyre.

Pamjet kur Liraku i vuri flakën vetes do të mbeten gjatë në mendjet e gjithë shqiptarëve, por jo vetëm. Vetëm pas vetëflijimit të tij, emri i Lirak Bejkos arriti të dëgjohej në të gjitha vendet e botës. (LajmeShqip.com)