Lajme Shqip Sunday, 04 December 2011 00:45

Vijojnë të dalin detaje nga skandali i ditës së djeshme, ku ceremonia e varrimit e Leka Zogut u kthye në një shesh beteje mes dy armiqve të mëdhenj brenda mazhorancës.

Mësohet se kryetarja e Kuvendit, e cila kishte përgatitur një fjalim lamtumire për Leka Zogun, ku përfshiheshin qëndrimet e saj anti-komuniste, është tërbuar kur ka mësuar se Basha do mbajë fjalimin.

Në tërbim e sipër ajo i ka thënë Bashës: “Ky është kulmi, do ta shohim!”. Mësohet se gardistët kanë qenë dëshmitarë të kësaj skene qesharake.

Më pas Topalli i ka ndërprerë edhe dritat për të penguar me sa mundte fjalimin e Bashës. Jozefina Topalli dhe Lulzim Basha, siç citohej edhe nga kabllogramet e ambasadës amerikane, kanë një armiqësi të fortë.

Ndërkohë menjëherë pas mbarimit të ceremonisë mortore ku Leka Zogu i Parë u varrosë në varrezat e Sharrës në Tiranë, në faqen zyrtare të parlamentit është shfaqur një deklaratë e cilat mesa duket ishte përgatirur nga Topalli për t’u lexuar në ceremoninë mortore por që dështoi pasi fjalën e mori kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha…

Deklarata për shtyp e Kuvendit…

Kuvendi shprehet se ceremonia e homazheve, e mbajtur sot në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, u bë në shenjë nderimi për historinë e mbretërisë, si pjesë e historisë shqiptare.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, zyra e shtypit e kuvendit shprehet se “Mbreti Ahmet Zogu dha një kontribut fondamental në ndërtimin e shtetit shqiptar në rrethana të vështira, të kompikuara të asaj periudhe historike për kombin tone”.

“Kjo ceremoni u zhvillua jo vetëm në nderim të asaj pjese të historisë së Shqipërisë, por edhe si ndjesë për gjithë urrejtjen që diktatura mbolli gjatë gjysëm shekulli, ndaj Mbretit Ahmet Zogu dhe familjes mbretërore”, thuhet në deklaratën për shtyp të kuvendit pas homazheve të zhvilluara sot për nder të pretendetit të fronit mbretëror Leka Zogu I, në hollin e Parlamentit.

“Kryetarja e Kuvendit shpreh besimin se instancat përkatëse do bëjnë të mundur në 100 vjetorin e Pavarësisë,  kthimin e eshtrave të Mbretit Ahmet Zogu në atdheun e tij. Është detyrë e çdo kombi të njohë dhe të nderojë historinë e vet”, përfundon njoftimi për mediat.