Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 07:05

Tiranë – Instituti i Statistikave (INSTAT) bëri të ditur të enjten se, ka përfunduar procesi i skanimit të të dhënave të mbledhura për “Censusin 2011”, ndërsa në maj do të nis edhe përpunimi i tabelave, rezultetet e të cilave do të publikohen në mënyrë elektronike nga EUROSTAT.    

“Tabelat dhe indikatorët final nga censusi 2011 do të prodhohen elektronikisht nga EUROSTAT, sipas standardeve të vendosura prej tij. Këto rezultate japin të dhëna të sakta dhe të hollësishme mbi të gjithë elementët e matura në “Censusin 2011”, deklaroi zëdhënësja e “Censusit 2011”, Vjollca Simoni.

Sipas Simonit, të dhënat përfundimtare pritet të publikohen vetëm në tetor të këtij viti. “Kjo është koha normale që kërkohet për përpunimin e të dhënave të censusit nga të gjitha vendet që kryen censusin tradicional nga anketues derë më derë”, tha Simoni. Pas anketimit të të dhënave derë më derë, tha Simoni, INSTAT publikoi në dhjetor rezultatet paraprake të censusit të popullsisë dhe banesave. Sipas saj, këto rezultate bazohen mbi përpunimin e përmbledhësve të anketuesve dhe përmbajnë numrin e popullsisë, njësive ekonomike, banesave, etj.

INSTAT, bëri të ditur Simoni, ka vazhduar punën për skanimin e përpunimin e pyetësorëve të “Censusit 2011”. “Janë instaluar 7 skanera optikë të teknologjisë së fundit që bëjnë kapjen automatike të të dhënave të pyetësorëve. Po skanohen 900 mijë pyetësorë me 32 faqe nga 120 operatorë. Ky proces që nisi në muajin dhjetor do të përfundojë këtë javë”, u shpreh Simoni.

Simoni theksoi se nga muaji maj të dhënat e skanuara do të përpunohen statistikisht, duke krijuar bazën e të dhënave. Sipas saj, kjo bazë do t’u nënshtrohet procedurave komplekse për të prodhuar të gjitha tabelat, sipas të dhënave të mbledhura nga pyetësorët për të nxjerrë rezultatet përfundimtare të censusit. (LajmeShqip.com)