Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:25

Tiranë – Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se politika shqiptare nga të dyja krahët, me kohë duhet të kishte gjetur vullnetin për t’i hyrë reformës zgjedhore, si një garanci për procesin elektoral të 8 majit.
“Në çastin kur u shtrua nevoja e reformimit të kodit zgjedhor kishte kaluar shumë kohë, pasi nuk mund të ndryshonin rregullat në momentin kur procesi kishte filluar. Por, disa gjëra duhet të ishin bërë për t’i dhënë një garanci më të madhe këtij procesi dhe për të krijuar klimën e besimit mes palëve”, u shpreh ish-kreu i KQZ-së, gjatë tryezës së organizuar nga Forumi Civil 2010 për zgjedhjet e ardhshme vendore. 
Duke komentuar situatën parazgjedhore në Shqipëri, Celibashi evidentoi faktin që partitë politike po hyjnë në zgjedhje pa ndryshuar ligjin zgjedhor.
“Proceset zgjedhore janë paraprirë nga ndryshimet të kodit, që kanë ardhur jo vetëm si rezultat i përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, por dhe si një nevoje që ka dalë për të kryer këto reforma, që bazohen në problematikat e vërejtura në zgjedhjet e kaluara”, tha ai.
Në këtë kontekst, ish-kreu i KQZ-së u shfaq skeptik lidhur me qëndrimin e vëzhguesve ndërkombëtarë rreth këtij fakti. “Për sa kohë rekomandimet e parashtruara nga ndërkombëtarët, nuk janë përmbushur nga shteti shqiptar kemi krijuar një pretekst që humbësi i këtyre zgjedhjeve nesër ose pasnesër të dalë të kontestojë rezultatin dhe të jetë kritik ndaj këtij procesi, madje dhe duke mos e pranuar atë”, tha ai.
Ne në Shqipëri, vijoi ai,  “jemi mësuar, që dhe pa shkaqe e pretekste, humbësi është i obliguar dhe me vullnetin e vet të mos e pranojë rezultatin, jo më duke pasur një shkak”.