Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 10:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha theksoi dje, gjatë ceremonisë së çeljes së sesionit të 18-të të panairit ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo-Group” se, “ky panair është një eveniment i rëndësishëm për vendin”.

Pasi përshëndeti drejtuesit e kompanive të pranishme në panair, investitorët e huaj në Shqipëri, pjesëmarrës në panair Berisha shprehu dëshirën që këto ditë në Tiranë të jenë ditë të frytshme për sipërmarrjet e tyre.

“Prania juaj në Tiranë është dëshmi e besimit që ju keni tek ekonomia shqiptare, Shqipëria, potencialet dhe reformat  e saj”, tha Kryeministri, duke shtuar se, “qeveria shqiptare ka vendosur barrën fiskale më të ulët dhe po përpiqet për të hequr dhe lehtësuar vështirësitë burokratike për biznesin”.

“Shqipëria ka ndryshuar me shpejtësi të madhe. Nga një vend, i cili para vitit 2005 ka patur një mesatare të investimeve të huaja prej 38 milionë dollarë në vit, në një vend që në 3 vitet e fundit ka marrë rreth 1 miliard dollarë investime të huaj”, theksoi Berisha.

Kryeministrit tha se “në 4 vitet e fundit investimet e  huaja kanë pasur një rritje prej 316 për qind, ndërsa në botë kanë patur një rënie prej 37%”.

“Vitin e shkuar Shqipëria ishte vendi i vetëm në rajon me rritje të qartë të investimeve të huaja”, tha Berisha , duke shtuar se, “ky ndryshim i shpejtë përcaktohet nga domosdoshmëria e qeverisë dhe reformat e ndërmarra për të çliruar ekonominë dhe potencialet e saj për klimën e biznesit”.

“Në lirinë ekonomike qëndrojnë potencialet më të mëdha të zhvillimit të një vendi. Nëse liria ekonomike në botë pësoi rënie, në Shqipëri u rrit me 16 % vitin e shkuar”, u shpreh shefi i qeverisë.

“Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për zgjerimin gjithnjë e më të madh të saj. Në këtë kontekst kemi vendosur barrën fiskale më të ulët. Po luftojmë aktivisht për të hequr dhe lehtësuar vështirësitë tuaja burokratike. Po bëjmë gjithçka për ta bërë vendin më tërheqës për ju”, iu drejtua Kryeministri Berisha kompanive pjesëmarrëse në panair.

“Vitin e shkuar Shqipëria kaloi një ligj për t’iu dhënë përgjigje përfundimtare probleme të lidhura me pronësinë. Ky ligj është unik, sipas të cilit kur investitorët blejnë mbi bazën e dokumenteve të rregullta shtetërore pronën, nuk mund të ketë më kërkesa ndaj tij. Të gjitha kërkesat duhet t’i adresohen qeverisë dhe ajo është përgjegjëse për to. Toka e blerë nga investitorët konsiderohet e shtetëzuar në raport me të gjitha kërkesat”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit ka patur raste shumë pakta të lidhura me tregun e pronësisë. “Këto kanë qenë jo më shumë se 3 ose 4 investitorë të huaj”, tha Berisha, duke shtuar se, “ligji parashikon vetëm investitorët e huaj”.

“Pyetjes se pse u përjashtuan nga ky ligj investitorët shqiptar iu përgjigja se ata kurrë s’kanë patur probleme në këtë drejtim dhe ndonjë ankesë”, theksoi Kryeministri.

“Po bëjmë gjithçka për të zhdërvjelltësuar sistemin e licencave dhe lejeve. Kemi hequr 2/3 e tyre dhe i kemi grumbulluar në një “One Stop Shop” ato që mbeten”, shtoi Berisha.

Kryeministri theksoi se, “Shqipëria është vend i vogël në hartë, por vend me potenciale të jashtëzakonshme. Ka një potencial turistik shumë të madh”.  Duke e quajtur Shqipërinë për nga potencialet malore “një Zvicër me det”, Berisha shtoi se “duhet bërë shumë punë për të ndërtuar një Zvicër të dytë në Shqipëri”.

“Shqipëria ka një bregdet të mahnitshëm. 92% e sipërfaqes është për tu shfrytëzuar. Shqipëria është vendi që ka lartësinë më të madhe mesatare në Evropë”, tha Berisha, duk shtuar se, perspektivë e jashtëzakonshme e vendit është turizmi malor.

“Ata që do të investojnë në resortet malore turistike do të jenë 8 vjet pa asnjë taksë”, nënvizoi Kryeministri.

Berisha vijoi se, Shqipëria është vend me potenciale mjaft të mëdha të energjisë së rinovueshme. “443 hidrocentrale do të ndërtohen. Qeveria ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për 300 hidrocentrale të dimensioneve të ndryshme. Por”, theksoi ai, ” Kaskada e Devollit me rreth 1 bilion euro investime është projekti më i madh në Evropë”.

Sipas Kryeministrit, “73 HEC-e janë në ndërtim e sipër. Të tjerë presin investitorë për të filluar ndërtimi. Kaskada të tjera të vendit janë në studim apo në treg”.

“Shqipëria ka platforma ere natyrore ndër më të fuqishmet. Studimet dëshmojnë se Shqipëria është vend i shkëlqyer për investime gjeotermike. Është një nga vendet me më tepër diell në Evropë dhe botë”, tha Berisha, duke ftuar investitorët e huaj për të investuar në këto sektorë.

Sipas Kryeministrit, “Shqipëria do të bëhet një superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon”.

Berisha vuri theksin mbi potencialin e madh minerar të vendit. “Në male dhe nëntokë  ka rezerva të mëdha të kromit, bakrit, hekurit, nikelit”, tha Berisha.

“Modeli ynë ekonomik ka funksionuar. Ky model ekonomik bazohet në taksa të ulta dhe qeveri të vogël. Jemi një nga 10 administratat më të vogla të planetit. Jemi një ndër 10 qeveritë më të shkurtra përsa i përket biznesit në planet”, theksoi Kryeministri.

Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend realisht të besueshëm”, iu drejtua Berisha investitorëve të huaj, duk i ftuar të konsiderojnë seriozisht të investojnë në Shqipëri, ku theksoi Kryeministri, ” një mik i vërtetë do ju mbështesë fuqishëm në suksesin tuaj dhe ky është qeveria shqiptare”.