Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 11:58

Prishtinë – Jahjaga dhe Kuçi, në një ceremoni të zakonshme, në prani edhe të dëshmitarëve, të mërkurën në Bashkësinë Lokale të Dushkajës në fshatin Cermjan të Gjakovës kanë kurorëzuar lidhjen e tyre martesore, ndërkaq presidentja ka ruajtur mbiemrin e vajzërisë.

Lajmin e ka konfirmuar të enjten për “Epokën e re”, Xhafer Halili, zyrtar për gjendjen civile në Bashkësinë Lokale të Dushkajës në fshatin Cermjan të komunës së Gjakovës.

“Po, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Astrit Kuçi më 3 tetor janë kurorëzuar”, ka treguar Halili.

Ai ka thënë se Jahjaga dhe Kuçi i kanë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme që përshihen për lidhjen e martesës.

“Sikurse çdo qytetar, edhe znj. Jahjaga dhe z. Kuçi i kanë respektuar procedurat për këtë çështje. Ata kanë bërë kërkesën për ta lidhur kurorën dhe janë kurorëzuar. Po ashtu, ky kurorëzim është bërë edhe në prani të dëshmitarëve”, ka deklaruar Halili.

Presidentja Atifete Jahjaga ka lindur më 20 prill të vitit 1975 në Rashkoc të Gjakovës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë, ku gjithashtu i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000.

Aktualisht vazhdon studimet e Magjistraturës në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Përveç gjuhës shqipe (amtare), presidentja Atifete Jahjaga zotëron edhe gjuhën angleze dhe atë serbe.

Jahjaga ka qenë zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme e Policisë së Kosovës prej shkurtit të vitit 2009 deri në zgjedhjen e saj presidente e Republikës së Kosovës, më 7 prill 2011. Presidentja Atifete Jahjaga është e martuar me Astrit Kuçin nga Suhareka. (LajmeShqip.com)