Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 21:15

Negotinë – Në poligonin e armatës “Krivollak” është mbyllur të martën “Kampusi i Verës 2011” në të cilin kadetët nga rajoni janë trajnuar 10 ditë.

Në mbyllje morën pjesë ministri i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë Zoran Konjanovski dhe ai i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Ministri kosovar i Forcat të Sigurisë Agim Çeku ka thënë se është shumë krenar që është pjesë e ekipit dhe se për Kosovën kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për shkak se ata si shtet marrin pjesë për herë të parë.

“Kjo është mundësia e mirë që kadetët tanë të njoftohen dhe të punojnë mes vete dhe motoja e sigurisë është më shumë kombe një mision”, ka thënë Çeku.

Ai shfaqi shpresë për bashkëpunim më të madh rajonal, edhe pse, siç ka shtuar, “ende nuk i kanë zhvilluar plotësisht të gjitha kapacitetet në Kosovë, megjithatë janë të gatshëm të organizojnë edhe të marrin pjesë në kampuse të ndryshme dhe ushtrime të përbashkëta, ndërsa këtë vjeshtë është planifikuar takim i ministrave nga rajoni në Kosovë ku do të bisedohet për bashkëpunim më të mirë dhe më të suksesshëm”.

“Dëshirojmë të marrim përgjegjësi për mbajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe çdo herë jemi të hapur për bashkëpunim me të gjitha vendet”, ka shtuar Çeku.

Ndërkohë, ministri Konjanovski shprehu kënaqësi që në poligonin e armatës “Krivollak” u trajnuan kadetët nga Akademia ushtarake “Mihajllo Apostolski”, si dhe kadetët nga akademitë e Turqisë, Bullgarisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Ai informoi se ligjëruesi të trajnimeve ishin profesorë të njohur, epror ushtarakë nga rajoni dhe ligjërues nga Norvegjia, Sllovenia dhe Gjermania. “Sot të gjitha ato elemente mund t’i shihni këtu në Krivollak, ku në tre vitet e fundit kemi dhënë rëndësi të veçantë me ndërtimin e shumë objekteve, ndërsa e kemi shikuar edhe frytin e punës sonë. Të gjitha këto punë na bashkojnë dhe na shtyjnë shumë më lehtë të prezantohemi para vendeve të NATO-s”, ka thënë Konjanovski.

Ai përkujtoi se do të  fokusohet në edukimin sistematik të pjesëtarëve të ARM-së, në trajnimit, në ndërtimit e kapacitetit për trajnim dhe bashkëpunim ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)