Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 21:00

Prishtinë -Që nga 26 janari i këtij viti Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar në shumë rajone të Kosovës në zhbllokimin e rrugëve dhe vendbanimeve nga dëbora, tha sot ministri Agim Çeku.

Ai bëri të ditur se në këto operacione kanë marrë pjesë 833 pjesëtarë të Forcës si edhe kanë qenë të nagzhuara 134 automjete të ndryshme.

Gjatë këtyre operacioneve FSK-ja ka vepruar në 48 lokacione, anembanë Kosovës, për të qenë afër qytetarëve, për t’ua mundësuar lirinë e lëvizjes dhe lehtësuar jetën në këto ditë të vështira të motit.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku foli sot para mediave për situatën e krijuar dhe angazhimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe FSK-së gjatë ditëve të fundit për përballimin e vështirësive të krijuar nga reshjet e mëdha të borës.

Ministri Agim Çeku tha po ashtu, se gjatë këtyre ditëve ka pasur një bashkëpunim të mirë ndërinstitucional, një bashkëpunim të mirë me komunat në përballimin e situatës së krijuar.

Po ashtu ministri Çeku shprehu konsideratën edhe për angazhimin e qytetarëve në pastrimin e shtëpive të tyre, rrugëve dhe solidaritetin njerëzor të treguar. Ministri Çeku vlerësoi lartë bashkëpunimin mes qytetarëve dhe pjesëtarëve të FSK-së. (LajmeShqip.com)