Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 08:20

Prishtinë – Ministri i Ministrisë së FSK-së dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, është i bindur se kosovarët do të festojnë më 29 nëntor lirimin e Haradinajt ashtu siç festuan kroatët lirimin e gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markac. 

“Çdo vendim tjetër do të jetë i padrejtë”, ka thënë Çeku për RTK. 

Edhe Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, beson se Ramush Haradinaj më 29 nëntor do të vijë në Kosovë i lirë. “Ai do të jetë në Kosovë, i lirë si çdo qytetar i Kosovës që ka kontribuar për lirinë e vendit”, ka thënë Isufi për Televizionin publik të Kosovës.

Tribunali i Hagës me 29 nëntor do të marrë vendim për Ramush Haradinajn, Lah Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.

Haradinaj më 3 prill 2008, pas një procesi 3-vjeçar ishte shpallur i pafajshëm për të gjitha aktakuzat nga Gjykata Penale e Hagës. Kurse më 21 korrik 2010, Tribunali i Hagës për të parën herë pas 17 vjet të themelimit, mori vendimin e parë kur vendosi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ky i fundit ishte shpallur me unanimitet i pafajshëm.(LajmeShqip.com)