Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 11:59

Tiranë – Kushtetuta nuk duhet të ndryshohet vetëm sepse këtë e kërkon kryesocialisti, Edi Rama. 
Pas LSI-së, e cila artikulon me vendosmëri faktin se vendi nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese por për reforma të tjera me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, ky është qëndrimi që mbajnë edhe aleatët e tjerë të maxhorancës qeverisëse. 
Në një prononcim për një nga të përditshmet shqiptare, Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, shprehet se Kushtetuta e vendt nuk ka nevojë për t’u ndryshuar.
“Ka vetëm tre vjet që është ndryshuar Kushtetuta dhe aktualisht nuk ka asnjë nevojë. Mbi të gjitha nuk ka as vullnet politik për ta bërë këtë gjë. Madje për mua është absurde që të kërkosh që pasi e përcaktove vetë që Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, pasi nuk mund të vendosë në vështirësi vendin, tashmë të ndërrosh mendje”, shprehet Ceka. 
Duke vënë në dukje se rikthimi në Kushtetutë i zgjedhjes së kreut të shtetit me shumicë të cilësuar, nuk është gjë tjetër veçse një pengesë për vendin, kreu i PAD-së thekson se “tashmë kjo çështje është e zgjidhur. Unë mendoj se kriza politike që ka përfshirë PS-në, nuk mund të zgjidhet në kurriz të popullit shqiptar, sepse në fund të fundit është ai që i paguan kostot”. 
Ai shton se nuk ka asnjë arsye për pretendime të tilla për një ligj, i cili vetëm tre vite më parë u ndryshua me konsensus të plotë politik dhe mbështetjen e të gjithë opozitës.
Duke cilësuar të domosdoshme realizimin e reformës zgjedhore, Neritan Ceka nënvizon se çështja më e rëndësishme që duhet të zgjidhet në procesin zgjedhor është numërimi i votave.
“Ashtu siç rezultoi edhe nga zgjedhjet e fundit të pushtetit lokal, problemi më i madh në zgjedhje duket se është procesi i numërimit të votave”, tha Ceka, ndërsa thekson faktin se në një situatë të tillë, ku vonesa të gjata karakterizuan procesin, forcat politike duhet të mos jenë pjesë e këtij procesi. 
Ai shprehet se “në mënyrë absolute, partitë politike duhet të largohen përfundimisht nga menaxhimi i procesit të numërimit të votave i cili duhet të jetë elektronik”.
Pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, lideri socialist artikuloi qartazi qëndrimin e tij për ndryshime Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duke propozuar që ky i fundit të zgjidhet me një shumicë të cilësuar prej 84 votash, jo pas disa votimesh edhe me 71 vota siç është e përcaktuar në Kushtetutë.