Lajme Shqip Saturday, 02 November 2013 16:48

Mitrovicë- Të shtëna të pandërprera armësh janë dëgjuar rreth orës 13:00 në veri të Mitrovicës, të cilat kanë shqetësuar tej mase banorët e kësaj pjese të qytetit.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se dhjetëra persona nga një kolonë e automjeteve që qarkullonte nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Zveçanit, kanë shtënë me kalashnikovë nga automjetet e tyre dhe këto të shtëna kanë zgjatur me minuta të tërë.

“Janë të shtëna gëzimi, sepse Zvonko Veselinoviq marton vajzën sot”, kanë thënë burimet, duke shtuar se të shtënat po vazhdojnë afër motelit ‘Te Coca’ në Zveçan, ku po mbahet ceremonia e dasmës.

Mësohet se për argëtimin e mysafirëve të shumtë të ftuar nga Serbia, Bosnja dhe vende tjera të rajonit, shumica e të cilëve janë pjesë e nëntokës, po përkujdeset këngëtarja beogradase, Svetllana Razhnjatoviq – Ceca, e veja e ish kriminelit Zhelko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan.

Sipas burimeve, edhe këngëtarja nga Beogradi është parë duke shtënë me kallashnikov.

Burimet më tej kanë shtuar se përkundër të shtënave të pandërprera afër këtij moteli në Zveqan, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë reaguar deri tani fare.

Kosovapress-i ka provuar të kontaktoj disa herë me përgjegjësit e policisë në veri për të marrë ndonjë deklaratë në lidhje me ngjarjen, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. /Kosovapress/