Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:06

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot një telegram urimi nga homologu i tij, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, me rastin e rizgjedhjes në postin e kryeministrit.

Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron pasi uron kryeministrin Thaçi për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, thekson gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimin mes dy qeverive, bën të ditur zyra e shtypit e qeverisë kosovare.

“E ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin Evropian dhe në NATO. Shpreh gatishmërinë time që të thellojmë bashkëpunimin mes dy qeverive tona, duke punuar ngushtë në reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e këtij qëllimi”, thekson kryeministri Cameron.

Në telegramin e urimit, kryeministri Cameron po ashtu shpreh rëndësinë e fillimit të dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin e vlerëson si një moment të rëndësishëm për Kosovën.