Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 13:22

Prishtinë- Blerësi i Distribucionit të energjisë kompania Çalik & Limak, akoma pa i kryer të gjitha obligimet ligjore ka filluar t’i kërkoj benefite paligjshëm qeverisë së Kosovës. Së fundi kjo kompani i është drejtuar Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Financave që të ia mundësoj tatimin në bazë të inkasimit e jo faturimit si dhe ta lirojë nga pagesa e TVSH-së për import.
Duke përdorur si arsye borxhet e këqija kompania turke Limak &Çalik që ka blerë Distribucionin e Energjisë së Kosovës i ka kërkuar Ministrisë së Financave të ia bëjë një favor goxha të madh. Kërkesa që i është drejtuar ditë më parë autoriteteve kosovare është të ia mundësoj pagesën e TVSH-së sikurse KEK-ut, në bazë të inkasimit e jo sipas faturimit. Gjithashtu Limak & Çalik ka kërkuar të lirohet nga TVSH, të paktën për pjesën e importit të energjisë. Sipas materies së kërkesës drejtuar Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore Limak&Çalik thotë se janë të vetëdijshëm që një kërkesë e tillë është e paligjshme. Por, kompania turke ka kërkuar që për shkak që të mos rriten tarifat në treg t’i mundësohet një lirim i tillë për një afat të pacaktuar. Kërkesa e kompanisë turke për privilegje në pagesën e TVSH-së vjen vetëm dy muaj pasi kjo kompani ka marr në pronësi distribucionin e energjisë në Kosovë. Çalik & Limak Group është ankuar se po e mbysin borxhet e këqija, e që sipas tyre janë rreth 150 milionë euro. Sakip Imeri, drejtor i Shërbimit të Tatimpaguesve në Administratën Tatimore i ka thënë Radio Kosovës se blerësi nuk mund të trajtohet sikurse ndërmarrjet publike. “Kërkesa që ka ardhur zyrtarisht ishte që t’i mundësohet kompanisë turke të tatohet në bazë të inkasimit e jo faturimit, siç ishte me Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës. Por, ne kuptohet që nuk mund ta pranojmë këtë kërkesë”, ka thënë Imeri per “Radio Kosovën”.
Gjithashtu Imeri nuk ka dhënë përgjigje se si do të rregullohet çështja e TVSH-së për importin e energjisë për kompaninë Limak & Çalik. Përgjigje rreth kësaj nuk kanë dhënë as zyrtarët e kompanisë Limak & Çalik Group. Kreu i Doganave të Kosovës Naim Huruglica i ka thënë Radio Kosovës se tani duhet ligjërisht të rregullohet kjo çështje ngase ligji në fuqi që nuk aplikon tatim për energjinë e importuar nuk precizohet nëse importuesi është privat apo publik. Nëse Qeveria e Kosovës vendos të ia bëjë këtë lehtësim të madh kompanisë turke atëherë buxhetit të vendit nga TVSH-ja do ti mungojnë në vit fiks 13 milionë euro në vit.