Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 15:52

Tiranë – Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha të premten se Kolegji Zgjedhor mori sot një vendim të bazuar në ligj, duke përmbyllur një proces të gjatë të zgjedhjeve për bashkinë Tiranë.

Duke komentuar vendimin e dhënë sot nga Kolegji Zgjedhor, i cili pranoi ankimimin e PD-së për shpërndarjen e mandateve të këshillit të bashkisë Tiranë, Bylykbashi tha se, ky vendim duhet të ishte marrë nga KQZ, por anëtarët e opozitës nuk e dhanë votën e tyre.

“Kolegji mori sot një vendim të bazuar në Kodin Zgjedhor, duke mbyllur kështu një proces relativisht të gjatë në bashkinë e Tiranës. Tashmë jemi gati për të gjitha procedurat e tjera, të nevojshme për konstituimin e këshillit bashkiak”, tha Bylykbashi në një prononcim për mediat.

“Po sot, vijoi ai, gjykata vërtetoi mandatin e kryetarit të bashkisë Lulzim Basha. Më pas do të vazhdohet me procedurat e tjera për konstituimin e këshillit dhe betimin e anëtarëve të këshillit dhe kryetarit të Bashkisë. KQZ do të bëjë veprimet për njoftimin që i duhet bërë bashkisë dhe prefektit për mandatet e këshillit, e më pas do të bëhet njoftimi i mbledhjes dhe do të përcaktohen datat përkatëse”, sqaroi përfaqësuesi ligjor i PD-së.