Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 16:03

Tiranë – Eksperti i Partisë Demokratike për çështjet zgjedhore, Oerd Bylykbashi, deklaroi sot se “çdo lloj elementi që do të përbënte ndryshim në kuadrin ligjor të zgjedhjeve, mund të përfshihet në Kodin Zgjedhor vetëm pas një vlerësimi paraprak nga OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias”.

Pas tryezës mes përfaqësuesve të partive politike, ku u diskutua mbi arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e 8 majit, Bylykbashi vlerësoi faktin se “PS i ka pranuar të gjitha propozimet që u bënë në mbledhjen e djeshme nga Partia Demokratike”.

“Nuk është bërë asnjë ndryshim në marrëveshjen që ne kishim propozuar. Kjo vërteton se marrëveshja bazohet në mënyrë solide në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe në Kodin Zgjedhor dhe është plotësisht e zbatueshme me vullnet të mirë politik”, tha Bylykbashi.

Ai theksoi se do të shqyrtohen me kujdes të gjitha propozimet e Partisë Socialiste, në mënyrë që këto kërkesa të mos jenë të pazbatueshme, apo të mund të cënojnë procesin.

Sipas Bylykbashit, “çdo lloj ndryshimi apo ndërhyrje që mund të bëhet tani apo në të ardhmen në Kodin Zgjedhor duhet domosdoshmërisht të çertifikohet nga OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias”.

“Ky është një element i rëndësishëm dhe një kusht i padiskutueshëm nga ana jonë. Këto institucione janë të vetmet që mund të çertifikojnë kualitetin e këtyre ndryshimeve në mënyrë që të ruhet standardi zgjedhor, një standard që ata e kanë vlerësuar tashmë në Kodin Zgjedhor që është në fuqi”, tha ai.

Bylykbashi tha se në propozimet e PS-së kërkohen edhe ndryshime që i korrespondojnë në mënyrë imediate përgatitjeve zgjedhore, që tashmë janë në zhvillim e sipër, të cilat në rast se nuk janë të çertifikuara mund të çojnë në destabilitet të kornizës ligjore dhe më tej të procesit zgjedhor.