Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 15:49

Prishtinë – Forca e Sigurisë së Kosovës dekoroi sot Komandantin e Kfor-it Erhard Byler me medaljen për shërbim të shquar, ndërsa dy zëvendësit e tij, gjeneralët Serona dhe Spagnoli, me medaljen për shërbim meritor. Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, ka siguruar se KFOR-i do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës edhe në të ardhmen, me të gjitha mjetet, në mënyrë që ajo të bëhet një organizatë e cila mund të përcaktojë kushte për siguri dhe stabilitet përgjatë tërë rajonit të Ballkanit.

KFOR-i do të vazhdojë përkrahjen për FSK –në edhe në të ardhem, me të gjitha mjetet në dispozicion në rrugën e saj për një organizatë moderne, funksionale dhe shumetnike, në një organizatë e cila do të përcaktojë kushte për siguri në tërë rajonin e Ballkanit.

Komandanti i FSK-së, Gjeneral Sylejman Selimi dhe Ministri Agim Çeku lavdëruan punën dhe përkushtimin e komandantit Byler. Ministri Çeku theksoi se FSK-ja është duke u dëshmuar si forcë efikase, profesionale dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit.

Gjatë ceremonisë së sotme u lexuan edhe dekretet e Presidentes Atifete Jahjaga për gradim e Kolonel Gëzim Hazrollit në Gjeneral-Brigade. Gjithashtu, Presidentja Jahjaga ka bërë edhe dekretimin e stemave të njësiteve të FSK-së të cilat do të  fillojnë të barten që nga 27 nëntori i këtij viti. (LajmeShqip.com)