Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 14:29

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi ka thënë se është optimist në arritjen e një marrëveshje për veriun e Kosovës.

Buhler u shpreh optimist se shumë shpejt do të arrijë atë që ai e quajti mirëkuptim të të dyjave palëve për normalizimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Ai e bëri këtë deklaratë pas një takimi të gjatë që e zhvilloi sot paradite me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa pritet që pasdite të takohet edhe me zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, me ç’gjë, siç tha ai, edhe mund të arrihet mirkëuptimi i të dyja palëve për situatën në veri.

“Unë jam optimist se së shpejti do të kemi rezultate konkrete. Mendoj se është në interesin e të gjithëve që situata në veri të Kosovës të normalizohet. Unë nuk jam duke zhvilluar diskutime në emër të Qeverisë së Kosovës, por në këtë rast po e luaj rolin e një ndërmjetësi dhe po jap propozime për zgjidhjen e situatës”, pohoi Buhler.

Ai, po ashtu, tha se KFOR-i i respekton vendimet e qeverive, por nuk është këtu për të vënë embargo të mallrave në kufi.

Megjithatë, ai njoftoi se për shkak të situatës së sigurisë, në pikat 1 dhe 31 nuk mund të hyjë asnjë kamion me mallra komerciale.

Komandanti i KFOR-it shprehu mendimin e tij se në veri të vendit nuk ka kurrfarë krize humanitare. (LajmeShqip.com)