Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 12:45

Prishtinë – Veriu i Kosovës dhe pikat kufitare tash janë nën kontrollin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe do të mbeten të tilla derisa të mos ketë një zgjidhje tjetër të qëndrueshme, deklaroi komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler.

Byhler, në një intervistë për të përditshmen kosovare “Koha Ditore” ka shpjeguar në detaje gjendjen e tensionuar në veri, ku grupet kriminale janë përzier me elemente radikale dhe përfaqësues politikë. Sipas gjeneralit, janë këto grupe që kundërshtojnë sundimin e ligjit, sepse përfitojnë nga mungesa e ligjshmërisë. Ata, sipas Byhlerit, frikësojnë qytetarët e Kosovës në veri të vendit.

Komandanti i KFOR-it shpjegon se marrëveshja e arritur dhe e ndërmjetësuar prej tij është e përkohshme, duke menduar se dialogu në Bruksel do të sjellë zgjidhje më të qëndrueshme.

“Kemi një gjendje të tensionuar dhe duhet të kuptojmë se edhe incidentet më të thjeshta mund të eskalojnë. Kjo situatë megjithatë nuk mund të na zmbrapsë nga qëllimi elementar që edhe atje të zbatohet rendi dhe ligji. Kuptohet që grupet kriminale që janë të përziera me elemente radikale nuk kanë dëshirë që atje të ketë rend dhe ligj, prandaj kuptohet rezistenca e tyre”, ka thënë Buhler.

Komandanti shpjegon se djegia e portës kufitare numër një nuk ka ndodhur nga protestat.

“Djegia e portave u bë nga një sulm i planifikuar e tepër i dhunshëm që nuk ishte protestë. Ishte sulm i armatosur me armë zjarri dhe eksplozivë”, shtoi ai.

Byhler ka thënë se kontingjenti i KFOR-it ka reaguar, por ka qenë e pamundur të mbrohej porta.

“Më duhet të cek edhe diçka. Në portat që janë nën përgjegjësinë e EULEX-it, siç ka qenë porta 1, në ato momente KFOR-i reagon pas një kërkese të EULEX-it”, ka thënë komandanti.

Por, EULEX-i dhe zyrtarët e misionit të BE-së që kanë qenë aty, sipas gjeneralit gjerman, kanë qenë krejtësisht të sfiduar, saqë as një kërkesë tek ushtarët e KFOR-it nuk kanë mundur ta bëjnë. Sipas Byhlerit, njësiti elitar i Policisë së Kosovës, ROSU, ishte bllokuar rrugës për në Jarinjë. Pas marrëveshjes, njësiti elitar nuk ka qenë fare e nevojshme që të arrijë në portën një. Policia e rregullt e Kosovës ishte transportuar atje me helikopterë të KFOR-it.

“Një sulm i ngjashëm po përgatitej edhe për portën 31. Gjatë sulmit në portën 1 unë personalisht isha prezent në portën 31. Isha dëshmitar i të shtënave me armë zjarri në drejtim të pikës kufitare ku ne gjendeshim. Ka pasur kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për pikën 31. Prezenca e madhe e KFOR-it ka pamundësuar sulmin”, ka rrëfyer komandanti.

Ai ka thënë se edhe komandanti i ri i KFOR-it që do ta zëvendësojë Byhlerin në shtator, Erhard Drus, është i përgatitur dhe se KFOR-i do ta kryejë punën e vet.

Gjeneral Byhler shpjegoi se në natën e 25 korrikut para se të nisej për veri ishte në Shtabin qendror të KFOR-it, në Film City dhe se për zhvillimet në veri e kishin informuar përgjegjësit e institucioneve të Kosovës.

Për aksionin e ROSU atje thotë se që në fillim e dinte se mund të ketë një gjendje kritike dhe se do të ketë nevojë për aktivitetin e tij si komandant i KFOR-it. Kështu ka vendosur të niset për në veri.

“Nuk u nisa vetëm për në veri. I mobilizova batalionet rezervë dhe i dërgova në veri. Gjatë natës ma dhanë rolin e ndërmjetësit. Ndërmjetësova mes përfaqësuesve të Beogradit dhe atyre të Prishtinës. Këtë e bëra me qëllimin e vetëm që situata në atë pjesë të Kosovës të mbetet nën kontroll. U bë mirë që takova Stefanoviqin, i cili erdhi nga Beogradi. E kuptova se për të mirë të situatës është më mirë të flas me Borko Stefanoviqin dhe ministrin Bogdanoviq sesa të filloj të bisedoj me protestuesit ose kryetarët e komunave. Gjatë asaj nate i merrja propozimet nga zoti Stefanoviq, i diskutoja me autoritetet në Prishtinës dhe kundërpropozimet e Prishtinës i diskutoja me Stefanoviqin. Isha vërtet një ndërmjetës”, shton gjenerali Byhler.