Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 11:35

Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler, ka paralajmëruar të gjithë ekstremistët se KFOR-i është plotësisht i përgatitur dhe ka autorizimin dhe vullnetin për të përdorur të gjitha mjetet për të ruajtur rendin dhe sigurinë në Kosovë.

Ai ka thënë se në vendkalimin kufitar në Jarinjë ekstremistët kanë shkrepur raketa dore, kanë hapur zjarr dhe kanë shtënë me armë. Porta është djegur,  ndërsa situata është mjaft e tensionuar, por e sigurt, ka thënë Byhler.

Ai e ka demantuar lajmin se është djegur edhe pika kufitare 31 në Bërnjak.

Byler ka thënë se forcat e KFOR-it janë të vendosura që të kthejnë rendin dhe qetësinë në pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Ai bëri të ditur se në pikën 1 në Jarinje dhe në Zveçan janë vendosur pjesëtarët e KFOR-it gjerman, derisa amerikanët janë prezentë në të dyja pikat doganore.

Komandanti Byhler nuk ka pohuar nëse në pikat kufitare në veri janë prezentë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Madje ai ka thënë se nuk ka nevojë as për përforcime të tjera. Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar ekstremistët për përgatitjen dhe autorizimet e forcave që komandon.

Komandanti Byler tha se tha se nuk ka njohuri për viktima e as për ndonjë të plagosur, qoftë nga KFOR, policia apo qyetarët.

Ai ka pohuar se ka qenë në kontakt me autoritetet serbe dhe se ka kërkuar prej tyre krijimin e një mjedisi  të sigurt në afërsi të vijave kufitare. (LajmeShqip.com)