Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 18:40

Tiranë – Administratori i Përgjithshëm i “Alb Konfindustria”, Gjergj Buxhuku, duke marrë shkas nga ngjarja në minierën e Bulqizës, ku janë ngujuar prej 17 ditësh në grevë urie punëtorë të kësaj miniere, i kërkoi institucioneve shtetërore të ndërhyjnë në zbatim dhe me forcën e ligjit, në mbrojtje të standardeve demokratike të tregut të lirë, të pasurisë kombëtare dhe të drejtës së pronës private.

“Nëse nuk do të veprohet me vendosmëri dhe qëndrueshmëri rasti i Bulqizës do të ishte një precedent shumë i rëndë me pasoja të pallogaritshme ekonomike, deri dhe në kërcenimin e qëndrueshmerisë shoqërore të vendit”, thekson Buxhuku në një njoftim për shtyp të “Al Konfindustrias”.

Duke respektuar plotësisht si të ligjshme kërkesat e punëmarrësve të minieres së Bulqizs për pagë dhe kushte më të mira pune, njëherazi, thuhet në deklaratën e “Al Konfindustrisë”, kundërshtojmë vendosmërisht për vendin e zgjedhur, mënyrat dhe mjetet me të cilat kërkojnë që të arrijnë kërkesat e tyre grevistët.

“Alb Konfindustria” gjithashtu i bën apel institucioneve shtetërore përgjegjese të kërkojnë nga koncesionari privat respektimin e të gjitha detyrimeve ekonomike dhe financiare, që i detyrohen punëmarrësve, mbështetur në marrëveshjet ligjore në fuqi.