Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 07:42

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës sot ka në rend dite miratimin e Buxhetit për vitin 2011. Pritet që kjo çështje të gjenerojë një kundërshti të ashpër midis pozitës dhe opozitës, pasi që kjo e fundit kërkon që miratimi i buxhetit të bëhet pa përfshirjen në pakon buxhetore të privatizimit të PTK-së.

Privatizimin e PTK-së edhe njëherë e kanë kundërshtuar sindikalistët e kësaj organizate publike, të cilët kanë paralajmëruar se do të protestojnë edhe sot kundër privatizimit të saj, gjatë kohës kur Kuvendi zhvillon punimet.

Kryetari i kësaj sindikate, Milazim Alshiqi, tha se përmes përfshirjes së PTK-së në projektbuxhet, tentohet të bëhet presion mbi deputetët që pas votimit të buxhetit, përkundër bindjeve të tyre lidhur me shitjen e kësaj ndërmarrjeje, të votojnë për shitjen e saj.

“Meqenëse neni 4 nuk është larguar nga Projektligji i Buxhetit të Kosovës, ne kemi vendosë të dalim prapë në protestë, më 31.3.2011, në orën 10:30, nga ndërtesa kryesore e PTK-së, për të kërkuar nga deputetët të mos e votojnë buxhetin e Kosovës pa e larguar nenin 4 nga ky buxhet”, tha ai.

Alshiqi ftoi punëtorët e PTK-së që të protestojnë kundër kësaj mënyre të privatizimit, duke kërkuar që çështja të diskutohet në ndonjë seancë tjetër. Por, ai nuk saktësoi se çfarë hapash do të ndërmarrin në rast se votohet edhe neni katër.