Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 10:40

Prishtinë – Nga Buxheti i Kosovës për këtë vit Universitetit të Prishtinës i janë ndarë rreth 15 milion euro, prej të cilit mbulohen rreth 60% e pagave të stafit të Universitetit.

Buxheti total i Universitetit të Prishtinës për këtë vit është paraparë të jetë rreth 25 milion euro. Prorektori për Burime dhe Infrastrukturë në Universitetin e Prishtinës, Enver Kutllovci, tha se edhe për këtë vit janë ndarë mjete po aq sa edhe vitin e kaluar. Ai tha se karakteristike për buxhetin e këtij viti është se ka një rënie në kategorinë e pagave.

“Krahasuar me vitin e kaluar, vjet kemi pas 10 milion e 90 mijë euro në kategorinë e pagave nga buxheti i Kosovës, këtë vit i kemi 9 milion e 617 mijë euro, që nëse bëhet një analizë është rreth 400 mijë euro më pak në këtë kategori”, ka thënë Kutllovci.

Prorektori tha se buxhetit prej rreth 15 milion eurove, është paraparë që t’i shtohen edhe rreth 9 milion euro nga të hyrat vetjake. Sipas tij, sa i përket rritjes së pagave për shërbyesit civil prej 30%, Universiteti në këtë rast është dëmtuar, pasi rritja e pagave për këtë kategori duhet të planifikohet nga buxheti vetjak.

Prorektori Kutllovci tha se do të mundohen të bëjnë një menaxhim të mirë, në mënyrë që të mund të arrihet mbulimi i shpenzimeve vjetore me buxhetin e paraparë për këtë vit.