Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 18:51

Vjenë – Serbia duhet të dalë me propozimin për ndryshimin e kufijve me Kosovën, sepse kjo është zgjidhja më e mirë për të dyja palët, ka thënë Erhard Busek, ish-zëvendës-kancelar i Austrisë dhe shefi i fundit i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Diplomati austriak, në një intervistë për “Novi Magazin”, tha se është i vetëdijshëm se ndryshimi i kufijve nuk do të gjente përkrahjen nga shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe SHBA-së.

“Brukseli dhe Uashingtoni thonë se kufijtë nuk mund të ndryshohen, mirëpo, nëse për këtë gjë do të merreshin vesh Prishtina e Beogradi, ata do të pajtoheshin me një ide të tillë”, ka thënë Busek.

Deri të një zgjidhje e tillë, sipas Busekut, mund arrihet nëpërmjet bisedimeve mes të dy palëve.

“Është e domosdoshme që deri të zgjidhja të arrihet me mirëkuptim të ndërsjellë, një lloj procesi të pajtimit, i cili sigurisht se do të ishte i vështirë, por është më rëndësi që proceset e tilla të nisin”, ka thënë Busek.

Vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, Busek e sheh si shumë të rëndësishme.

“Ishte shumë i rëndësishëm fakti që kancelarja ishte shumë e sinqertë”, tha Busek, duke kujtuar se kohë më parë edhe shefi i diplomacisë austriake i kishte drejtuar Beogradit zyrtar porosi të ngjashme, “mirëpo atëherë kjo nuk ishte kuptuar shumë seriozisht”.

Si shumë të dobishme, Busek thekson faktin se pas vizitës së kancelares Merkel është bërë e qartë se disa gjëra duhet zgjidhur dhe nuk duhet fshehur ato nën tepih.

Edhe pse porosia e kancelares Merkel fillimisht mund të tingëllonte negative, sipas Busekut, ajo ishte një porosi miqësore që thotë: “Mos humbisni kohë, zgjidheni problemin sa më parë”.

Dilemën serbe – “Ose Kosova ose BE-ja” – Busek e sheh si të paqenë. “Në botën bashkëkohore nuk mund të jesh më një kalorës i vetmuar. Asnjë individ, e sidomos shtet, nuk mund të funksionojë i vetëm. Dhe, çka është alternativa? Rusia? Provojeni. Njëjtë kishte provuar Shqipëria me Kinën në kohën e Enver Hoxhës, dhe rezultatet i dimë fare mirë”, ka thënë Busek.

Interesi i Rusisë, para se gjithash, sipas Busekut, është të zhvillojë marrëdhëniet ekonomike me shtetet e BE-së.

“Miqve të mi serbë u them se nuk mund të kenë çdoherë çfarë dëshirojnë. Nuk është lehtë, por duhet hequr dorë nga politika për Kosovën si tokë e shenjtë serbe dhe duhet shikuar drejt ardhmërisë. Progresi ekonomik dhe social i Serbisë mund të arrihet vetëm në kontekst evropian”, tha Busek.