Lajme Shqip Saturday, 09 July 2011 18:28

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashme, Edmond Haxhinasto, gjatë punimeve të samitit të 6-të të Kroacisë, pati një takim dypalësh me nënsekretarin amerikan të shtetit, William Burns, ku u fol mbi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike në Shqipëri dhe situatën në rajon.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe theksoi se “forumet e biznesit që po organizojmë, do të rrisin volumin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Tani është koha që investimet amerikane të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri”.

Nënsekretari Burns tha se partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është i rëndësishëm dhe vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në Afganistan dhe në Tunizi.

Lidhur me situatën politike në Shqipëri, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme tha se tashmë zgjedhjet vendore kanë përfunduar dhe duhet të fokusohemi në reformën zgjedhore. Ministri Haxhinasto u shpreh se është e rëndësishme që u zbatua ligji dhe mësimet e nxjerra duhet të kihen parasysh në të ardhmen. Po ashtu,  tha Haxhinasto, besojmë se një dinamikë më pozitive në vend mund të kualifikojë vendin tonë për një opinion pozitiv për statusin e vendit kandidat. Pavarësisht situatës politike, tha Haxhinasto, vendi ka stabilitet dhe ekonomia tregon një rritje të vazhdueshme.

Nga ana e tij, z. Burns tha se tashmë Shqipëria duhet që të përqëndrohet në axhendën e integrimit evropian. “SHBA është e gatshme t’ju ndihmojë në rrugën tuaj, sepse partneriteti midis dy vendeve është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara”.

Lidhur me rajonin, u theksua rëndësia e integrimit të rajonit si i tërë në strukturat euro-atlantike dhe z. Haxhinasto nënvizoi se tashmë është koha që edhe Kosova të jetë pjesë e proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes euroatlantike të gjithë rajonit.

Ministri Haxhinasto theksoi se është e rëndësishme që marrëveshjet e realizuara në procesin e dialogut Kosovë- Serbi të zbatohen. Ai u shpreh se domosdoshmëri është vazhdimi i integrimit Evropian për Kosovën, ku lëvizja e lirë drejt zonës Shengen është hapi i parë i rëndësishëm.

Më pas, z. Haxhinasto dhe z. Burns biseduan për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Rezolutën e OKI-t për njohjet e reja të Kosovës, situatën në Afrikën Veriore dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.