Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 08:39

Shkup – Këshilli koordinues për ndërtimin e Burmali Xhamisë, përmes një konference për gazetarë të mbajtur përpara ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të gjendet zgjidhje rreth tokës së Burmali Xhamisë.

Sipas Ramadan Ramadanit, në vendin e Burmali Xhamisë është rrezik të ndërtohet diçka tjetër pos asaj xhamie. “Qeveria me këto vendime, provokon marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në vend, ndërsa mund të ketë pasoja fatale, si shembulli i ngjarjeve në Kalanë e Shkupit”, ka thënë Ramadani, duke kundërshtuar vendimin e fundit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve (MTL), që ajo pjesë e tokës t’i shitet një firme greke ku parashihet të ndërtohen objekte hotelierike.

“Duam të tregojmë se kjo punë është e rrezikshme. Ne nga fjalët do të shkojmë në këngë dhe të organizojmë këndim solemn me remix para Qeverisë, dhe ndoshta me këngë do të marrin vesh më mirë. Në atë vend nuk do të ndërtohet asgjë përveç Xhamisë Burmali, e cila ka qenë një xhami shumë e bukur, me çka edhe opinioni do të vërtetohet së shpejti se do të ndërtohet në atë vend”, ka porositur Ramadani. “Konsiderojmë se në këtë rast nuk është respektuar sa duhet rregullativa ligjore, pra pa ndonjë debat të gjerë publik e profesional. Ky vendim është i pa pranueshëm, i rrezikshëm dhe mjaft fatal. Shëmtohet shenjtëria e simbolit fetar, xhamia. E gjithë kjo ndeshet me etikën krishtere dhe me rruajtjen e të gjitha vlerave civilizuese, për të cilat pretendon në proklamimet e veta një pjesë e Qeverisë aktuale”, ka thënë më tej Ramadani. Këshilli koordinativ për rindërtimin e Burmali Xhamisë, siç ka paralajmëruar më tej ai, për këtë vendim të shëmtuar, “do të njoftoj presidentin amerikan dhe gjithë ndërkombëtarët”.

“Në ditët në vijim ne do të njoftojmë gjithë botën, duke u nisur nga presidenti i SHBA-ve Barak Obama, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, krejt kjo me qëllim të alarmojmë atë që ne e dimë. E ajo që ne e dimë, është se xhamia Burmali, është simboli i unitetit dhe pandashmërisë së këtij shteti”, ka thënë Ramadan Ramadani nga Këshilli koordinues.