Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 10:41

Bulqizë – Vijon dita e 24-të e grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës, ndërkohë që specialistët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), nuk lejohen të hyjnë në minierë për të këqyrur gjendjen e saj.

Në mëngjesin e së mërkurës në minierën e Bulqizës kanë shkuar specialistë të AKBN, për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga ndërprerja e punës, por ata nuk u lejuan të hynin në minierë nga minatorët me pretendimin se nuk ishin shoqëruar nga administratorët e firmës ACR, duke e cilësuar vizitën e tyre si presion që po i bëhet atyre për të ndërprerë grevën e urisë.

Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, 50 minatorë nga Mirdita dhe Puka, i janë drejtuar Bulqizës për të mbështetur minatorët në grevë.

Ndërkaq, pas 24 ditëve grevë urie dhe më shumë se dy muaj protestë, minatorët e Bulqizës akoma nuk kanë arritur marrëveshjen me firmën ACR. Ata kërkojnë rritjen e pagës nga 20-40 për qind, përmirësim të kushteve të punës, uljen e moshës së pensionit si dhe largimin e administratorit të minierës së Bulqizës.