Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 11:09

Tiranë – Minatorët e Bulqizës, të “ngujuar” në thellësinë 760 metra linear, kanë hyrë sot në ditën e 16-të grevës së tyre të urisë.

Gjatë ditës së sotme, pritet të zhvillohet takimi trepalësh ndërmjet përfaqësuesve të ACR, përfaqësuesve të Bashkisë së Bulqizës dhe minatorëve. Ky takim, që pritej të zhvillohej ditën e hënë, u shty për shkak të orarit, i cili u konsiderua si i papërshtatshëm nga përfaqësuesit e ACR-së.

Po sot pritet që specialistët e Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM), të udhëtojnë drejt Bulqizës për të hyrë brenda galerisë. Kjo pasi RISHM kërkoi që specialistët e këtij reparti të lejohen të hyjnë brenda galerisë për të parë nga afër gjendjen atje, por kjo kërkesë u hodh poshtë ngë grevistët, me anë të një deklarate për shtyp të bërë nga kryetari i grevistëve, Luan Nika, i cili tha për media se “nuk do të lejohet asnjë person të futet në galeri”, ndërsa shtoi se sot do të lejohen të hyjnë në minierë vetëm inspektorët, të cilët do të shoqërohen nga vetë minatorët.

Gjithashtu Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave i kërkoi dje Ministrisë së Ekonomisë, mbylljen e përkohëshme të minierës së Bulqizës, deri në rikonstruksionin e saj, pasi, sipas RISHM, pezullimi i punës për një kohë të gjatë në minierë do të çojë në degradimin e saj.

13 minatorët e Bulqizës, prej më shumë se dy muajsh në protestë, kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.