Lajme Shqip Saturday, 22 October 2011 16:59

Tiranë – Një inspektim i dytë do të bëhet në Minierën e Bulqizës, kjo pasi grupi hetimor i dërguar nga Tirana nuk ka mundur të përfundojë inspektimin e tij, çka ka bërë që të bllokohet përsëri puna në minierë.

Burime zyrtare nga Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave thanë se “grupi i dërguar nga Tirana nuk ka mundur dot të realizojë një kontroll të detajuar të zonës ku ndodhi shpërthimi, si dhe pjesëve të tjera të minierës, si rezultati i sasisë së gazit që ndodhet aty”.

Ndërkohë, përfaqësia e minatorëve vijon të mos pranojnë fillimin e punës, pasi konsiderohet e rrezikshme për jetën.  Luan Nika, kreu i përfaqësisë së minatorëve, tha se “do rifillojmë punën kur të na garantohet nga specialistët se janë kontrolluar të gjitha frontet e punës dhe të na konfirmohet gjendja e mirë e minierës”.

Ndërkohë, prokuroria vijon hetimet e saj për ta zbardhur tërësisht shkaqet e shpërthimit ndodhur ditë më parë në pusin 2, niveli 16-të të minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, ku një minator humbi jetën, ndërkohë që 8-të të tjerë u plagosën.