Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 10:43

Bulqizë – Minatorët e Bulqizës do vijojnë të bojkotojnë punën deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas përfaqësisë së tyre, gjendja emocionale e minatorëve është e rënduar. “Pas ditës së martë, të gjithë jemi të shokuar, prandaj së bashku me kreun e Konfederatës, Kol Nikollën dhe kreun e sindikatës, Taf Kolecin, kemi vendosur të bojkotojmë punën deri në momentin kur institucionet përkatëse të nxjerrin raportin përfundimtar, ku të zbardhen dhe përgjegjësit e këtij aksidenti tragjik”, tha Luan Nika, kreu i përfaqësisë së minatorëve, i cili bëri me dije gjithashtu se në momentin e daljes së raportit, përfaqësia e minatorëve do të marrin vendim mbi rifillimin ose jo të punës.

Ndërkaq, ditën e djeshme Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, vizitoi në spital minatorët e  plagosur dhe u interesua për gjendjen e tyre shëndetësore. Kryeministri në fjalën tij theksoi se “ky ishte një aksident i dhimbshëm dhe tragjik”, ndërsa siguroi se Qeveria do të bëjë gjithçka për të ndihmuar të lënduarit.