Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 14:28

Prishtinë- Njëri prej themelueseve të Listës “Dr. Ibrahim Rugova”, Bujar Bukoshi ka vendosur të përkrahë Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte dhe në ato parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.
Pavarësisht se është në koalicion me PDK’në në Qeveri, Bukoshi ka thënë se në zgjedhje do të përkrahë Partinë që aktualisht e udhëheq miku i tij, Isa Mustafa.
“Ne jemi LDK, natyrisht ne do t’i përkrahim edhe në zgjedhjet lokale. Dëshira jonë është që LDK të fitojë të gjitha komunat në zgjedhjet lokale e edhe në zgjedhjet parlamentare t’i fitojë shumicën e votave dhe të qeverisë me vendin”, ka thënë Bukoshi, në një intervistë për Gazetën Express.
“Kjo është qysh unë kam qejf që LDK t’i fitojë zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare. Ne jemi LDK dhe e përkrahim LDK’në krejt kohën”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Zëvendëskryeministri Bukoshi ka folur edhe për problemin e Veriut të Kosovës dhe e ka porositur Qeverinë që të mos bëjë më asnjë kompromis për shkak të rrezikut të bosnizimit të Shtetit.
“Nëse lejohet që Veriu i Kosovës të vazhdoj të kaloj në kronicitet atëherë janë komponentët e mjaftueshme që Kosova të bosnjizohet”, ka paralajmëruar Bukoshi, të shtunën për Express.
Sipas tij, Kosova ka dhënë mjaftë në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kosova është shpenzuar duke dhënë koncesion pas koncesioni, duke u treguar shumë konstruktive me qëllim që të arrijmë objektivat që Kosova të dal nga ky çark vicioz”.
Bukoshi ka vlerësuar se negociatorët e Prishtinës duhet të shikojnë çdo detaj të marrëveshjes dhe të mos lejojnë që të zgjaten afatet e zbatimit të saj.
“Serbia po abuzon me gatishmërinë e palës shqiptare dhe konstruktivitetin e saj. Këtu po e shoh një rrezik sepse i tërë procesi ka rrezik të kaloj në një problem kronik me rrezik shumë real të bosnjizimit të Kosovës”, ka thënë ai.
Bukoshi ka folur edhe për punën e Qeverisë, duke thënë se ka punuar në bazë të mundësive që i ofron Kosova.
Ai ka thënë se kabineti qeveritar do të mund të ishte më i vogël, por e ka arsyetur Kryeministrin, duke thënë se në Ekzekutiv është dashur të akomodohen edhe minoritetet dhe partitë e koalicionit.
“Ka mundur të jetë Qeveria edhe më e vogël. Por, kjo Qeveri është dashur t’i krijoj disa balance edhe për shkak të minoriteteve dhe koalicioneve. Aty nuk është vetëm një parti që e qeverisë Kosovën”, ka thënë ai.
Bukoshi para gjashtë javësh i është kthyer punës në Qeveri, pas përfundimit të betejës njëvjeçare me drejtësinë e EULEX’it, e cila e ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për korrupsion, për kohën sa kishte udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë.