Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 13:31

Prishtinë – Në një intervistë dhënë medias gjermane, Tagesspiegel, komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka thënë se vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, 1 dhe 31, zyrtarisht janë mbyllur dhe se aty lejohet vetëm qarkullimi i civilëve dhe i mallrave humanitare.

Buhler ka bërë të ditur se po zhvillohen biseda të vazhdueshme për tejkalimin e situatës, ndërkohë që, ka thënë ai, për këtë temë do të flitet edhe në nivel të Evropës.

“Por, ne do ta mbajmë këtë situatë nën kontroll”, ka saktësuar numri një i KFOR-it.

“Kur them “ne”, me këtë e mendoj KFOR-in, Eulex dhe Policinë. Ne duhet t’ua forcojmë besimin njerëzve që strukturat e sigurisë e kanë gjendjen në kontroll. Dhe ne duhet të provojmë ta shmangim çdo eskalim dhe këtë po e bëjmë. Ne megjithatë do ta forcojmë KFOR-in, ne do t’i ftojmë ORF Batalionin, Rezervat nga Gjermania dhe Austria. Këto ditë do të vendosen këto trupa, jo për ta eskaluar situatën, por thjesht për të pasur më shumë fuqi. Për momentin të gjithë janë të tensionuar, ne jemi në përgjithësi me të gjitha forcat jashtë. Nuk kam më rezerva. Me këtë rast e përshëndes hapin e ndërmarrë nga NATO, për të na dërguar një batalion shtesë”, ka shtuar ai.

Në pyetjen se a kur do vendoset drejtësia e shtetit në veriun e Kosovës, që konsiderohet një zonë pa drejtësi, me influencë të kufizuar të Serbisë dhe me “kapo” lokalë, kontrabandues, njerëz të bizneseve dhe të krimit të organizuar, gjenerali Buhler është përgjigjur:

“Kjo gjë është dashur të bëhet moti. Kjo është njëra nga problematikat në ditët e sotme. Është lejuar shumë gjatë që këtu të krijohen struktura radikale. Këto janë struktura shumë të fuqishme kriminele, të cilat janë multietnike – ka edhe shqiptarë të Kosovës, edhe serbë të Kosovës. Këto struktura radikale dhe kriminele duan ta mbajnë forcën e vetë. Kjo ka të bëjë me para, dhe këta janë ata që në fakt e kanë fjalën e fundit këtu në veri. Këta janë ata që edhe i udhëheqin njerëzit e armatosur dhe i paguajnë. Këta janë ata që i menaxhojnë barrikadat nëpër rrugë. Ata po i mbajnë paqedashësit e Veriut si pengje të veta”.

Në intervistë, komandanti i KFOR-it është shprehur falënderues që banorët në pjesën Jugore të Kosovës e mbajnë situatën shumë të qetë. “Jam falënderues që kanë besimin tek KFOR-i. Ne punojmë natyrisht që ta kemi situatën edhe në pjesë tjera në kontroll. Incidentet të vogla natyrisht se nuk mund të përjashtohen. Por, unë besoj se nuk duhet të llogarisim në incidente të mëdha në Jug”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth rolit të Serbisë në të gjitha këto zhvillime, komandanti Buhler ka thënë se është edhe në interes të saj situata e qetë në veri të Kosovës.

“Besoj se akterët shtetërorë, edhe në Prishtinë, po edhe komuniteti ndërkombëtar, kanë interes që dialogu të vazhdojë dhe të përparohet derisa të mbahet situata e qetë”, tha Buhler.

Në fund të intervistës, komandanti i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë është deklaruar se beson fuqishëm se mësimi është nxjerrë nga zhvillimet e fundit.

“Unë mendoj vetëm se duhet të veprojmë hap pas hapi. Drejtësia dhe Ligji duhet të vlejë edhe në veri, kjo është çështje vendimtare. Ne këtu kemi mjaft policë të Eulex-it, të cilët mund të veprojnë me përkrahjen e KFOR-it. Drejtësia dhe rregulli duhet të futen, që edhe politika të ketë mundësi të ofrojë zgjidhje politike”, ka përfudnuar komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, në intervistën për gjermanen Tagesspiegel.