Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 19:19

Prishtinë – “KFOR-i dhe Kosova janë një shembull i historisë se si një mission ushtarak mund ta rivendosë paqen dhe mund të kontribuojë jo vetëm në ndërtimin e shtetit, por të vendosë një sistem të qëndrueshëm të sigurisë në tërë rajonin”, tha sot Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Erhard Bühler.
Ai mirëpriti një grup studentësh të ISPE-së (Instituti për Studime Politike Evropiane) në Shtabin Qendror të KFOR-it, në një vend shumë historik. Ata u mblodhën në dhomën ku për herë të parë u mbajt takimi kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë në vitin 1999 dhe kur u mbajtën bisedimet mes të NATO/KFOR dhe përfaqësuesve të ish UÇK-së.
Komandanti i KFOR-it shpjegoi se si gjatë viteve, KFOR-i ka mbajtur rolin e tij si një forcë paqeruajtëse e paanshme, e dedikuar për të ofruar një ambient të qetë dhe të sigurtë në të gjithë territorin e Kosovës. “Ai po ashtu prezantoi situatën aktuale dhe kushtet e përmirësuara të sigurisë në Kosovë, përveç disa rajoneve në veri”, bëri të ditur zyra e KFOR për marrëdhënie me publikun.
Komandanti i KFOR-it vlerësoi gjithashtu vendosmërinë e lartë të Policisë së Kosovës, e cila tani është me kompetenca të plota për ruajtjen e vijës së gjelbër me Shqipërinë dhe Maqedoninë.