Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 19:31

Kamenicë – Marrëveshja e arritur në mes të KFOR-it, palës serbe dhe institucioneve të Kosovës, megjithëse nuk është zbatuar në tërësi, është e vlefshme deri në rifillimin e  negociatave të Serbisë dhe Kosovës për çështje të caktuara. Kështu ka thënë të mërkurën Komandanti i KFOR-it, Erhart Buhler.

Ai ka përmendur se në veri të Mitrovicës, në Rudare, ende ka bllokadë rrugësh, dhe për qarkullim të trupave po përdorin rrugë alternative. Ai ka shtuar se janë në kërkim të kryesve të vrasjes së policit dhe ndezjes së pikës kufitare në Jarinjë.

“Edhe pse gjendja në veri para pak ditësh ishte e tensionuar, tani është e qetë. Ne kemi arritur një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit lidhur me largimin e barrikadave”, ka thënë Buhler, ndërsa ka shtuar se “kalimin kufitar në Jarinjë e kemi nën kontroll, ndërsa kufiri në Bërnjak është nën kontroll të KFOR-it, EULEX-it e Policisë së Kosovës”.