Lajme Shqip Wednesday, 10 July 2013 10:25

Tiranë – Flamur Buçpapaj, një nga emrat e lëvizjes së dhjetorit 1991, thotë në një intervistë për Shqiptarja.com, se kryetari në detyrë i PD, Sali Berisha, i ka kërkuar të mos garojë për postin që lë bosh ai.
“Unë jam ndier gjithmonë një nga njerëzit më të zgjuar të PD, pavarësisht se nuk kam konkurruar më, pasi jam marrë më shumë me studime. Që pas ardhjes së Partisë Socialiste nuk kam pranuar më që të punoj në shtet. Jam marrë më shumë me botën e biznesit si dhe kam botuar 6 libra deri më tani,” thotë Buçpapaj.
“Gjatë bisedave të mia telefonike me kryetarin në detyrë të PD, Sali Berisha, u pa e arsyeshme nga ana e tij që të mos përfshihem në garë për shkak sepse unë mund të merrja shumë vota, a mund t`i prishja punë dikujt që ai e ka vendosur që të ketë kryetarin e ardhshëm të PD. Më ka telefonuar 3-4 herë për këtë. Nëse do garoja vetë i binte që unë të hyja në garë në mënyrë të pabarabartë. Do të hyja në garë dhe do të humbja. Nuk do më krijoheshin kushtet e barabarta për garën ashtu si do t’u krijoheshin kandidaturave që do të dilnin nga Kryesia. Gjithsesi mendoj se ai nuk ka për t’u shkëputur asnjëherë nga PD,” vijon ai.
I pyetur për dy kandidatët për kreun e PD, Buçpapaj thotë: “Këta njerëz nuk duhet të konkurronin më kurrë për këtë post. Të dy konkurruesit janë dy ish- ministra në disa poste të kësaj qeverie, që rezultoi qeveria më armike e popullit. Me rreth 1 milion vota kundër”.
Buçpapaj shprehet se në krye të PD-së duhet të jetë Olldashi, por garën do e fitojë Basha pasi kështu është orientimi.
Ai thekson se nuk do shkëputet nga PD dhe në momentin më të parë do të konkurrojë për kreun e saj.