Lajme Shqip Sunday, 05 May 2013 10:45

Bruksel – Edhe pse akoma nuk po japin shenja se duan të nisin zbatimin e marrëveshjes me Prishtinën për veriun, zyrtarët e Beogradit tashmë kanë shprehur dëshirën për të rinisur me bisedime për tema tjera.
Mediat serbe duke cituar zyrtarë të shtetit, të cilët thonë se temat që ata duan t’i bisedojnë sa më shpejt që është e mundur, janë furnizimi me rrymë, statusi i hidrocentralit të Gazivodës, sistemi i Ibër–Lepenc dhe rezervat e thëngjillit në Kosovë.

Por zyrtarë nga Brukseli, thonë se për të nisur bisedimet për tema tjera, fillimisht duhet të nisë zbatimi i marrëveshjes aktuale, për veriun që është arritur më 19 prill
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Catherine Ashton, ndërmjetësueses së bisedimeve, duke mos dashur t’i komentojë temat e përmendura nga mediat serbe, tha se për momentin fokusi është tek implementimi i marrëveshjes së fundit.
“Fokusi për momentin është tek implementimi i marrëveshjes së arritur në prill dhe unë pres që ekipet e grupit implementues nga Beogradi dhe Prishtina do të takohen sërish në Bruksel, javën e ardhshme”, tha Kocijançiq për “Zërin”.