Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:24

Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Europian, i cili mbledh për çdo muaj Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Unionit, pritet të diskutojë rreth fillimit të dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën të hënën e ardhshme.

Kështu kanë bërë të ditur të mërkurën zyrtarë të BE’së për gazetën Express.

“Dialogu për vizat, i rekomanduar në raportin e progresit, do të diskutohet nga ministrat në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të hënën”, ka deklaruar një zyrtar europian në Bruksel në kushte anonimiteti.

Komisioni Europian kishte rekomanduar fillimin e dialogut për vizat në raportin e progresit për Kosovën, të publikuar në tetor, derisa për Serbinë kishte rekomanduar statusin e kandidatit.

Të dyja këto çështje pritet të trajtohen nga kryediplomatët e vendeve anëtare të BE’së të hënën e ardhshme.

KE në rekomandimin për fillimin e dialogut për vizat kishte paraparë që kjo çështje të trajtohej në fund të vitit.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën do të kompletojë këtë proces në Ballkanin Perëndimor. Në dhjetor të vitit 2010, Këshilli ka riafirmuar këtë perspektivë nëse plotësohen të gjitha kushtet. Për të adresuar këto kushte, Kosova ka miratuar një kornizë ligjore për riatdhesim dhe ka nënshkruar marrëveshje bilaterale të riatdhesimit me 13 shtete të zonës së Schengenit. Ka miratuar plane të riintegrimit dhe ka vazhduar implementimin e tyre”, thuhet në rekomandimin e KE’së.

“Rrjedhimisht, Komisioni do të fillojë dialogun për viza deri në fund të vitit”, thuhet në rekomandimin që Komisioni Europian ka bërë për Kosovën”, vazhdon rekomandimi.

Liberalizimi i vizave ishte premtuar nga Kryeministri Thaçi gjatë fushatës së fundit zgjedhore në fund të vitit 2010, i cili kishte thënë se kosovarët do të lëvizin pa viza brenda 15 muajsh. Partitë opozitare kanë kritikuar kreun e Qeverisë për shkak të mospërmbushjes së këtij premtimi. E njohës të këtij procesi thonë se liberalizimi mund t’ia marrë Kosovës 2-3 në tri vjet.

Edhe pse nuk dihet se çfarë do të vendosin vendet anëtare të BE’së, Ministrja Çitaku, e cila po qëndron këto ditë në Bruksel, ka theksuar se tashmë janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Çitaku ka takuar edhe Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, të martën.

Zyra e Fule’s ka lëshuar një njoftim për media, ku konfirmohet ndihma që KE do t’i japë Kosovës në procesin e liberalizimit.

“Komisioni do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e Kosovës për ta përmbushur edhe më tej perspektivën e saj europiane, në veçanti sa u përket vizave, marrëveshjes tregtare, si dhe pjesëmarrjes se Kosovës në programet e BE-së në përputhje me Komunikatën e vitit 2009”, thuhet në njoftim. (Express)