Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 14:45

Nga Brukseli, raportohet se rreth studimit të fizibilitetit fjala është vetëm për mundësinë e nisjes së një studimi të tillë, por që nuk paragjykon asgjë.

Disa nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kushtëzojnë mbështetjen e tyre për këtë formulimin me marrëveshjen MSA, që ato të mos kenë nevojë ta njohin pavarësinë dhe që Kosova në raportet me BE-në të mos konsiderohet si shtet i pavarur. 

Spanja mësohet te këtë thënë, se nuk do ta njohë shtetin e Kosovës për shkaqe ligjore, por nuk do të pengojë afrimin e Kosovës me BE-në, me kusht që Kosova të mos trajtohet si shtet i pavarur. Mësohet se qëndrim të ngjashëm ka edhe Qiproja. Por, qëndrimi i tyre, pritet të sqarohet sot, kur të miratohen konkluzat.

Ndërsa  Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vetservelle, konfirmoi se Gjermania do të mbështesë kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

“Qeveria gjermane do të mbështesë dritën e gjelbër sot, sepse ne mendojmë se marrëveshja e arritur ka qenë pozitive, dhe ka qenë rruga e duhur, ka thënë Vestervelle, para takimit të Këshillit të BE-së për Çështje të Përgjithshme.

Kurse  Ministri finlandez për Evropën dhe Tregtinë e Jashtme, Aleksandër Stub, ka thënë se sot është një ditë e mirë edhe për Serbinë edhe për Kosovën. “Mendoj se do të shkojmë përpara. Që të dy palët, Kosova dhe Serbia, kanë bërë mjaft kompromise në ditët e kaluara, ka thënë Stub.