Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 07:00

Bruksel- Komisioni Europian i ka kushtuar vëmendje trajtimit të çështjes së Fatmir Kajollit i cili u arrestua më 9 prill. Gjykata e Fierit dha masën e arrestit shtëpiak. Këshilltari republikan në Këshillin bashkiak të Fierit është dënuar me 40 vjet burg nga Gjykata Italiane.

Por në vendimin e 11 prillit, për masën e sigurisë gjykata e Fierit nuk caktonte asnjë nga efektivët e policisë të kryejë shërbim roje, pranë banesës së biznesmenit.

Burime nga Komisioni Europian kanë shprehur keqardhjen në lidhje me këtë trajtim të dobët të cështjes, por shtojnë se ekzekutivi i BE-së nuk mund të komentonjë vendimin e gjykatës. Lajmi publikohet në faqen online të Brukselit www.euroactiv.com.

“Komisioni Europian nuk komenton vendimin e gjykatës, por ndjek me vëmendje të madhe trajtimin e rastit të Fatmir Kajollit, dhe rezultati i saj do të ndikojë në marrëdhëniet BE- Shqipëri, ka mësuar faqja Euractiv.

Gjatë artikullit euroactiv shkruan se në disa media në Shqipëri u raportua se ish ministri Mbrojtjes, kishte miq të cilët siguruan një vendim të dobët në gjykatë. Prej kohësh përflitej miqësia e hershme Mediut dhe Kajollit, e cila nis nga viti 90.

Po ashtu Mediu ka punësuar shumë njerëz të afërt të Kajollit. I vëllai i Fatmir Kajollit, eshte pjesë e kabinetit të Ministrit Fatmir Mediu, si këshilltar i tij, në ministrinë e Mjedisit të cilin e  drejton aktualisht.

Euractiv përmend dhe faktin se Prokuroria e Përgjithshme deklaruar se Policia nuk e arrestoi atë pavarësisht faktit se lista e të kërkuarve ndërkombëtarë është si në dispozicion të Prokurorisë ashtu edhe në atë të Policisë. Nga ana e tij Ministri Nishani kishte deklaruar se emri i Kajollit gjendej në një listë që nuk ishte në dispozicion të Policisë, por që i ishte adresuar Prokurorisë.

47 vjeçari u dënua nga Gjykata e Romes Itali me 24 vjet burg për Trafikim narkotikësh dhe nga Gjykata e Milanos Itali me 16 vjet burg për “Pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikim narkotikësh”. Prokuroria kërkoi masën e arrestit burg duke i paraqitur gjykatës një sërë provash, mes të cilave dhe dy vendimet e gjykatave italine, si dhe kërkesën e ministrisë së Drejtësisë Italine për ekstradimin e 47-vjeçarit Kajolli, për shkak të implikimit të tij në veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarjes në organizata kriminale.

Ndërsa nga ana tjetër avokatja Rezarta Plaku, këmbënguli se klienti i saj është i pafajshëm dhe se prokuroria nuk ka prova të administruara sipas ligjit, që faktojnë implikimin e Kajollit në akuzat e ngritura nga shteti italian.