Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 21:16

Bruksel – (E plotësuar 5 dhjetor, 01:00) Nuk do të ketë zyra ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd. Përfaqësuesi i Kosovës do të vendoset në zyrën e BE-së në Serbi, ndërkaq përfaqësuesi i qeverisë serbe do të vendoset në zyrën e BE-së në Prishtinë.

Në takimin e sotëm në Bruksel është arritur pajtimi që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të “shkëmbejnë” nga një zyrtarë ndërlidhës në Beograd dhe në Prishtinë.

Më herët ishte paralajmëruar që të dyja vende të vendosin kontakte përmes hapjes së dy zyrave ndërlidhëse.Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesja e lartë e BE-së Catherine Ashton përmes një deklarate.

“Dy kryeministrat janë pajtuar që secili t’i emëroj nga një zyrtarë ndërlidhës. Për fillim, në kuadër të rolit lehtësues të BE-së delegacioni i BE-së në Beograd dhe zyra e BE-së në Prishtinë do të ofrojnë zyra ndërlidhëse për këta zyrtarë ndërlidhës”, ka thënë Ashton, transmeton Kosovatimes.Në deklaratën e saj thuhet se kryeministri Thaçi tashmë e ka themeluar një njësit policor special shumë etnik në kuadër të policisë së Kosovës që do të ketë për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë religjioze dhe kulturore.

Ashton ka thënë se të dyja palët janë pajtuar që të shqyrtojnë gjetjen e mënyrës që ndihma financiare për komunitetin serb në Kosovë të jetë transparente.Dy kryeministrat janë pajtuar për vazhdimin e punës për energjetikën dhe telekomunikacionin në nivel të ekspertëve. Gjithashtu Ashton ka thënë se Thaçi e Daciq janë pajtuar që të intensifikojnë bashkëpunimin mes komisioneve të të dyja vendeve për personat e pagjetur.Takimi i ardhshëm mbahet me 17 janar të vitit 2013.

Në takimin e sotëm që ka zgjatur që ka zgjatur deri pas mesnatës është shqyrtuar procesi i zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).“Dy kryeministrat konfirmuan se pikat kufitare në Jarinjë dhe Merdare do të jenë të gatshme me 10 dhjetor. Ndërsa, pika kufitare Dheu i Bardh dhe ajo në Bërnjak do të jenë funksionale me 31 dhjetor”, ka thënë Ashton.

 

Përfundon takimi në Bruksel

Ka përfunduar darka e përbashkët mes baroneshës Catherinë Ashton dhe dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq. Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare, por pas takimit pritet që dy kryeministrat dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së të flasin për rezultatet e raundit të tretë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë (Kosovatimes)

*************************************************************

Bruksel (E plotësuar 4 dhjetor, 22:30)- Darka e përbashkët ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Ivica Daciq, ka nisur rreth orës 21:00.

Darka ka pasuar takimet bilaterale që baronesha Eshton ka zhvilluar me dy kryeministrat.

************************************************

Bruksel – Takimi bilateral në mes të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar pak para orës 19, ka bërë më dije zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijançiq.

Ajo ka bërë të ditur, se pas këtij takimi, do të zhvillohet një takim biletaral i zonjës Ashton me kryeministrin serb, Ivica Daçiq.Të dy takimet i paraprijnë takimit të përbashkët që zhvillohet në kuadër të darkës punuese, bën me dije, Kocijanciç

Takimi, Thaçi-Daçiq, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është i treti me radhë midis dy kryeministrave.Në krye të agjendës së sotme është thënë se do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të njohur si IBM.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur këtë marrëveshje qysh në muajin shkurt, por zbatimi i saj ka ngecur.Takimet e nivelit të lartë janë parë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Bashkimi Evropian ka thënë se përparimi në bisedime do të avancojë përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë, për të lëvizur përpara drejt integrimit në këtë bllok.Takimi i parë Thaçi-Daçiq është zhvilluar më 19 tetor, ndërsa i dyti më 7 nëntor. (LajmeShqip.com)