Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 10:37

Prishtinë – Në Bruksel pritet të vazhdojnë sot bisedimet  Kosovë-Serbi, me ndërmjetsimin e Bashkimit Evropian. Në agjendë janë edhe vulat doganore të Kosovës, për të cilat delegacioni kosovar do të mbajë qëndrimin tashmë të qartë, se Beogradi duhet t’i pranojë ato.

Vulat doganore të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimin rajonal do të jenë temat për të cilat do të bisedohet në rrethin e gjashtë të bisedimeve teknike Kosovë-Serbi.

Çështja e bashkëpunimit rajonal shtrohet për herë të parë në këtë takim, ndërsa çështjet e tjera janë në nivelin e draft-marrëveshjeve. Gjithashtu, në këtë raund të dialogut teknik do të analizohet dhe do të intensifikohet puna e grupeve për zbatimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë. 
Agjenda ishte paraparë për takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, raund ky i cili dështoi pas refuzimit të palës serbe për njohjen e vulave të doganave të Kosovës.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë, me ç’rast ekstremistët serbë në veri të vendit vranë një polic të Kosovës dhe dogjën pikën  kufitare në Jarinjë, kushtet për vazhdimin e dialogut ishin vështirësuar.

Por, insistimi i bashkësisë ndërkombëtare bindi të dyja palët që të provojnë edhe një herë zgjidhjen e problemeve përmes dialogut.

Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, qëndroi të martën  në Prishtinë, ku u takua me  kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministren Edita Tahiri.

Bisedimet Kosovë-Serbi kanë filluar më 8 mars 2011, ndërsa marrëveshjet e fundit të cilat u arritën më 2 korrik, ishin ato rreth lëvizjes së lirë, njohjes së diplomave dhe regjistrat civilë. (LajmeShqip.com)