Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 18:19

Bruksel -Presidenti Bujar Nishani është njohur sot me vlerësimin e Brukselit mbi progresin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Brukseli zyrtar është shprehur me nota pozitive për progresin e Shqipërisë, por ka theksuar se 12 prioritetet mbeten kërkesë e vazhdueshme dhe vetëm nëse plotësohen ato, Shqipëria merr statusin. Në takimet që Nishani kreu sot në Bruksel me presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian u theksua roli i politikës në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE.

Rompuy
Shqipëria ka ende mundësi të marrë statusin kandidat për në BE, por gjithë progresi varet nga vete Shqipëria në përmbushjen e 12 kritereve të përcaktuara nga KE. Ka qenë, kjo deklarata e presidentit të BE, Van Rompuy në konferencën për shtyp me presidentin Bujar Nishani sot në Bruksel. Rompuy theksoi se dialogu politik i qëndrueshëm dhe konstruktiv mbetet esencial për suksesin e Shqipërisë. “Shqipëria mund të arrijë ende progres në objektivin e saj për 2012-ën, Komisioni Europian do të vlerësojë situatën në Tetor, ndërsa Këshilli Europian do të diskutojë në muajin Dhjetor të këtij viti. 

Ndaj tani është e rëndësishme që reformat politike të vazhdojnë. Inkurajoj qeverinë dhe opozitën që të shfrytezojnë bashkarisht këtë moment për të arritur rezultate konkrete në përmbushjen e 12 kritereve. Sundimi i ligjit përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet thelbësor, dhe vlerësoj angazhimin e presidentit për reformën në gjyqësor.

Angazhimi i vazhdueshëm dhe një dialog politik i qëndrueshëm e konstruktiv janë esenciale për suksesin e Shqipërisë”. Nga ana e tij, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se Shqipëria është e vetëdijshme për arritjet e deritanishme dhe sfidat që e presin përpara në rrugën e integrimit europian.

Kanë mbetur pak javë përpara se KE të japë raport progresin. Unë e informova presidentin Rompuy për progresin e arritur deri më tani në implementimin e marrëveshjes politike të Nëntorit dhe 12 kritereve kyçe, me rishikimin e kuadrit ligjor për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve, reformën në sistemin gjyqësor, sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi arritur plot, siç jemi të vetedijshëm për sfidat që na presin, për të konsoliduar më tej arritjet e deritanishme.

Nishani theksoi se mbetet i angazhuar personalisht për të ndihmuar që të gjitha palët të jenë të angazhuar në këtë proçes. Presidenti shtoi se, Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, ndërsa perspektiva europiane mbetet instrumenti më i mirë për të inkurajuar frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore 

Barroso-Nishani: Progresi i Shqipërisë po ndodh
Pas takimit me presidentin Bujar Nishani, presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso përgëzoi progresin që ka arritur Shqipëria në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.

Në konferencën e përbashkët me zotin Nishani, të mbajtur në Bruksel, Presidenti Barroso theksoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat për në BE. “Jam i bindur dhe kam besim se Shqipëria do të krijojë mundësitë për të kaluar fazën e ardhshme. Bëj thirrje për të vazhduar konsensusin mes palëve për integrimin e vendit. Në bazën e këtij progresi të arritur deri tani Shqipëria mund të kërkojë shpërblim, por natyrisht duhen vazhduar përpjekjet. Progresi i Shqipërisë në të vërtetë po ndodh. Dhe progresi i saj në 2012-ën është më se i mundshëm ashtu siç është mëse i mundshëm edhe statusi kandidat këtë vit.”- deklaroi Barroso.

Nga ana e tij Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani theksoi edhe një herë angazhimin e politikës shqiptare, por edhe të tijin personal, për të vazhduar reformat kyçe në përmbushjen e 12 kritereve të përcaktuara nga Komisioni Europian. Presidenti Nishani përmendi një serë arritjesh që janë bërë deri tani, si miratimi i Kodit Zgjedhor, miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar dhe ligji antimafia, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. (LajmeShqip.com)