Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 13:33

Prishtinë – Delegacioni i Kosovës në bisedime me Beogradin, ka udhëtuar në Bruksel, ku nesër do të takohet me përfaqësuesit serbë. Në krye të delegacionit është zv/kryemnistrja Edita Tahiri, ndërsa pjesë e delegacionit janë edhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Zv/kryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e gjashtë të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në agjendë për takimin e nesërm, do të jenë njohja e vulave të doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimin rajonal. Gjithashtu, në këtë raund të dialogut teknik do të analizohet dhe do të intensifikohet puna e grupeve për implementimin e tri marrëveshjeve të arritura më parë.

Dihet se kjo agjendë ishte paraparë për takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, raund ky i cili dështoi me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të doganave të Kosovës.

Për katër çështjet e para, bisedimet janë në nivelin e diskutimit të draft-marrëveshjeve, të prezantuara nga ndërmjetësi i BE-së, ndërsa çështja e bashkëpunimit rajonal shtrohet për herë të parë.

Kësaj radhe në delegacionin e Kosovës të prirë nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri janë edhe ekspertë nga fusha të temave të cilat do të shtrohen për diskutim, si Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut, Naim Huruglica, drejtor i doganave dhe Murat Meha, kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës. (LajmeShqip.com)