Bruksel-Ministrat e jashtëm të NATO-s kanë nisur takimin e tyre dy ditor në Bruksel, ku do të diskutojnë mes të tjerash për tensionet e fundit në Kosovë.
Ndërsa mbërriti në takim, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se nevojiten më shumë reforma në Serbi dhe Kosovë.
Incidentet e fundit në veri të Kosovës, dhe dhuna e ushtruar ndaj trupave të KFOR-it nga serbët do të jetë pjesë e diskutimeve që do të zhvillojnë ministrat e jashtëm të NATO-s.
Një ditë më parë, ministri i jashtëm i Rusisë deklaroi se KFOR-i dhe EULEX-i kanë dështuar në mbikqyrjen e neutralitetit të statusit të Kosovës, duke i akuzuar kështu si fajtorë për incidentet e fundit në veri.
Duke folur gjatë takimit të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të OSBE-së në Vilnjus, Lavrov përmendi edhe situatën e fundit në Kosovë duke akuzuar forcat ndërkombëtare se nuk kanë mbrojtur neutralitetin.
“OSBE duhet të vazhdojë të jetë e fokusuar ndaj situatës në Kosovë e cila është agravuar sërish pas devijimeve ndaj Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dështimit për të ruajtur statusin neutral nga forcat ndërkombëtare”-tha Lavrov. (LajmeShqip.com)