Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 20:20

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në përmbylljen e vizitës së tij tre ditore në Bruksel, u takua sot me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politika Fqinjësore, Stefan Fuele, të cilin e njohu me angazhimet dhe përkushtimin e institucioneve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE, si dhe për nevojën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Në këtë takim u bisedua edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ku zv/kryeministri Kuçi u shpreh se ky dialog nuk duhet të dëmtojë statusin e Kosovës, por duhet të ndihmojë konsolidimin e raporteve në rajon dhe procesin e integrimeve evropiane, bëjnë të ditur burime zyrtare në Prishtinë.

Ndërsa, komisioneri Fuele bëri të ditur se në fillim të shtatorit, në Kosovë do të vije një komision për të parë progresin e arritur në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Po sot, zëvendëskryeministri Kuçi takoi Jonas Jonsson, udhëheqës i Njësisë për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të BE-së dhe Ana Maria Boura, zyrtare e lartë në  këtë Njësi, me të cilët bisedoi për progresin e arritur në ndërtimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin me EULEX-in.