Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 07:26

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë,  Hajredin Kuçi, gjatë takimit të djeshëm në Bruksel me komisioneren për Punë të Brendshme të BE-së, Cecilia Malmstrom, tha se Kosova dëshiron trajtim të barabartë dhe se patjetër duhet të meritohet çdo integrim në BE. Ai tha se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është tanimë i merituar nga ana e institucioneve të Kosovës dhe se presim ta kemi shumë shpejt.

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë kosovare, komisionerja Malmstrom theksoi se do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për integrimin evropian dhe se Komisioni Evropian do ta trajtojë atë si partner të barabartë dhe shtoi se gjatë shtatorit të këtij viti KE do të dërgojë një komision të saj për sa i takon progresit në liberalizimin e vizave, për të parë mundësinë që të ecet sa më shpejt në këtë fushë, në mënyrë që Kosova të përfitojë udhërrëfyesin dhe sa më parë edhe vetë liberalizimin.