Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 19:00

Bruksel-Eshtë mbajtur sot në kryeqytetin e Belgjikës takimi i parë i Grupit trepalësh për implementimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë së Kosovës, nën kryesimin e Bashkimit Evropian, u mbajt takimi i parë i Grupit për Implementimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Në takim u diskutua drafti i protokollit teknik për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit.

Hartimi dhe nënshkrimi i protokollit teknik të IBM-it është obligim që del nga marrëveshja e arritur në Bruksel më 2 dhjetor të vitit të kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.

Ekipi i ekspertëve të Kosovës mbajti qëndrimin që protokolli teknik duhet të finalizohet dhe të nënshkruhet pa vonesë dhe duhet të bazohet në modelet ekzistuese të konceptit të IBM, të zhvilluara nga BE në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti me menaxhimin e integruar të kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në pikën kufitare në Muriqan.

Për këtë qëllim, pala kosovare dorëzoi një draft propozim të protokollit teknik të IBM të bazuar në protokollin teknik të Muriqanit.

Protokolli parashikon që në të gjitha pikat kufitare me Serbinë do të zbatohet koncepti i IBM dhe do të operojnë të gjitha agjencitë shtetërore të zbatimit të ligjit, siç janë policia kufitare, doganat, veterina dhe fitosanitaria etj. (LajmeShqip.com)