Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 21:30

Bruksel- Ministri i Jashtëm kosovar merr mbështetje nga pesë vendet e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës. Sot, në ditën e parë të vizitës në Parlamentin Evropian, në Strasburg, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane. 

Ministri Hoxhaj, siç bëhet e ditur nga zyra e tij, në takime të ndara me përfaqësues dhe deputetë të pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i ka informuar ata për reformat e brendshme dhe për procesin e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan dhe Evropë.

Hoxhaj po ashtu ka shtuar se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, asnjë vend nuk ka arsye legale që ta shtyjë vendimin për njohje formale të saj.

“Njohja e Kosovës ka sot një gjeografi globale dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është një proces i pakthyeshëm”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Nga ana tjetër, përfaqësues të këtyre pesë shteteve, kanë siguruar Ministrin Hoxhaj se do ta mbështesin fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.

Ata kanë vlerësuar progresin e vazhdueshëm që ka arritur Republika e Kosovës në vitet e fundit si faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar po ashtu një takim me Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, për reformat që janë ndërmarrë në përmbushjen e kritereve të BE-së, si dhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian që të mbështesë edhe më fuqishëm aspiratën e dy milionë kosovarëve për lëvizje të lirë në zonën Schengen dhe për fillimin sa më të shpejtë të Studimit të Fizibilitetit, si parakusht për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga ana tjetër, Elmar Brok, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka siguruar Ministrin Hoxhaj se ky Komision do të jetë një zë i fuqishëm brenda Parlamentit Evropian për një perspektivë të qartë evropiane të Kosovës. (LajmeShqip.com)