Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 14:46

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e 13-të të Këshillit të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ) në Bruksel.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se strategjia e Makro-rajonit të Adriatikut dhe Jonit, e cila do të fillojë të realizohet në dy vitet e ardhshme nga Bashkimi Evropian, ishte në qendër të këtyre bisedimeve. Në këtë strategji, janë të përfshira rreth 80 projekte të cilat janë në proces dhe që përfshijnë fushën e turizmit, peshkimit, shpërndarjen e rrjetit infrastrukturor dhe energjetik, etj.

Gjatë takimit, Haxhinasto kërkoi që Kosova të jetë pjesë e gjithë iniciativave rajonale, pasi, pavarësisht statusit të vendeve, këto takime i sjellin njerëzit më pranë njëri-tjetrit. Shqipëria, tha Haxhinasto, mbështet përfshirjen e gjithë vendeve të rajonit në këto iniciativa.

Në takim ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm dhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të kësaj iniciative: Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Italisë, Sllovenisë, etj.

Në fjalën e tij, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, fillimisht falënderoi Malin e Zi për presidencën e deritanishme të NAJ dhe i uroi Serbisë suksese për presidencën e saj të radhës. Ai vlerësoi Nismën Adriatiko-Joniane si një platformë të rëndësishme, e cila garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe stimulon rritjen e bashkëpunimit, jo vetëm mes vendeve anëtare, por edhe me BE-në.

Ai gjithashtu vlerësoi rëndësinë e strategjisë makroekonomike të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila ofron një balancim mes zhvillimit të gjithanshëm dhe ruajtjes së ambientit si në fushën e turizmit, peshkimit, shpërndarjen e rrjetit infrastrukturor dhe energjetik, etj.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Haxhinasto theksoi se të gjitha iniciativat janë të rëndësishme për rajonin, pasi ato i kontribuojnë drejtpërdrejt perspektivës së përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian.