Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 10:06

Bruksel-Edhe dita e dytë e raundit të tetë të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit ka përfunduar pa asnjë rezultat konkret. Sipas mediave delegacioni i Kosovës ka pranuar propozimin e BE-së për menaxhimin e integruar të kufijve por pala serbe e ka refuzuar një gjë të tillë. Vetë Tahiri citohet nga REL të ketë thënë se Bashkimi Evropian dhe SHBA si ndërmjetës në dialog kanë vlerësuar  qëndrimin e palës kosovare që sipas Tahirit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vlerat evropiane. Kurse shefi i delegacionit serb Borislav Stefanoviç ka thënë për mediat serbe se “negociatat kanë përfunduar rreth mesnatës pa marrëveshje”.

Nga ana tjeter kryenengociatori i BE-së Robert Cooper pritet të njoftojë bllokun prej 27 anëtarësh për rezultatin e bisedimeve të fundit pas përmbylljes së raundit të tetë të dialogut.  Pavarësisht kohës së gjatë që kanë kaluar me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, gjatë ditës së enjte, në Bruksel, zyrtarët europianë nuk mundur të raportojnë për ndonjë përparim në bisedimet mes palëve.

Delegacionet e nisën të mërkurën raundin e tetë të bisedimeve pa u marrë vesh për asgjë, por në fund të ditës së parë zyrtarët europianë megjithatë kishin lënë vend për pak shpresë. Rezultati në këtë dialog, sidomos rreth pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale, ai për menaxhimin e integruar të kufirit ose sipas diskursit serb për pikat administrative në veri, dhe gjendja e përgjithshme në atë pjesë, janë përmendur si element kryesorë që do të merren parasysh kur të vendoset rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE, më 5 dhjetor. (LajmeShqip.com)